Artikuj, Lajme

35-VJETORI I VLERËSIMIT HONORIFIK SHTETËROR “NËNË TEREZA”

Përvjetori i 10-të i kanonizimit të Nënë Terezës, gjatë kësaj vjeshte, përkon me një tjetër jubile, atë të 35-vjetorit të krijimit të vlerësimit honorifik shtetëror që mban emrin e saj. Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës përkujton me nderim, në këtë kontekst, shqiptaren e veprës së shenjtëruar të njerëzidashjes, “pajtoren” e njërës prej dekoratave më të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Kuvendi i parë pluralist shqiptar krijoi, me ligjin nr. 7522, datë 30 tetor 1991, emërtesën e parë honorifike “Nënë Tereza”, në formën e një urdhri, për t’iu dhënë “shteteve, organizatave, shoqatave, firmave si dhe shtetasve vendas a të huaj për shërbime të shquara humanitare dhe bamirësie ndaj Shqipërisë”. Me ligjin nr. 8113, datë 28 mars 1996, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, “Urdhrit Nënë Tereza” iu njoh vetëm një shkallë: “e Artë”, dhe u rendit në vendin e 5-të të dekoratave kombëtare. Ligji nr. 112/2013 “Për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë” e renditi të 4-tën ndër 6 dekoratat dhe 6 titujt e nderit që u krijuan në atë kohë. Nga viti 1996 e deri në vitin 2023, vlerësimi honorifik “Nënë Tereza” u dha me motivacionin “për akte të shquara humanizmi ndaj kombit shqiptar dhe njerëzimit”.

Sistemi aktual i nderimeve publike, kodifikuar në ligjin nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, hyrë në fuqi në mars 2024, e ka ruajtur emërtesën honorifike “Nënë Tereza” në formatin e një medaljeje të nivelit kombëtar me tri shkallë (Ar, Argjend, Bronz), dhënia e së cilës bëhet me dekret të Presidentit të Republikës pas shqyrtimit të kandidaturave nga Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve. Kriteret e dhënies janë më të shtjelluara krahasimisht me të mëparshmet. “Medalja Nënë Tereza” jepet tashmë “për merita dhe kontribute të shquara në fushat e bamirësisë, përkujdesjes mjekësore dhe sociale, angazhimit vullnetar në ndihmë të kategorive në nevojë, si dhe në zhvillimin e shoqërisë e vlerave humaniste”.

Qysh prej themelimit të tij, vlerësimi honorifik “Nënë Tereza”, si urdhër, dekoratë dhe tashmë medalje, është dhënë 163 herë, pra mjaft rrallë. Ndër të dekoruarit mund të përmenden:

Jacques Diouf, Kardinali Mikel Koliqi, Alois Mock, Hillary Clinton, Mbretëresha Geraldinë, Giulio Andreotti, Stipe Mesic, Pjetër Arbnori, Nexhmie Zaimi, Anthony Athanas, Dërgut Aliu, Mukaddes Koçer, Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa, Kontigjenti i Operacionit “Pelikan”, Shoqata Ndërkombëtare e Vullnetarëve Laikë, Misionet humanitare amerikane, saudite, austriake, britanike, daneze, emiratase, franceze, greke, gjermane, italiane, turke dhe zvicerane gjatë krizës së refugjatëve kosovarë në vitin 1999, si edhe Organizata shqiptare e Urdhrit të Maltës dhe shumë organizata, fondacione dhe shoqata, veprimtaria e të cilave ka spikatur dhe përkuar me motivacionet e dhënies së këtij vlerësimi.

“Medalja Nënë Tereza” është dekorata e 6-të në rang në Republikën e Shqipërisë dhe medalja e 2-të civile për nga prezeanca. Nga pikëpamja pamore ajo paraqitet në formën e një rombi rrezatues me imazhin e shenjtores në lutje, gdhendur në një medaljon rrethor në qendër. Shiriti është në mëndafsh me ujra, i ndarë vertikalisht në dysh – i kaltër me të bardhë  – në kujtim të simboleve të veshjes së saj dhe të motrave të kongregatës që themeloi. Bordurat janë kuq e zi në kujtim të prejardhjes së saj shqiptare dhe të traditës atdhedashëse të familjes në të cilën lindi dhe u edukua.