Nga Kardinali Bustillo, Ipeshkëv i Ajaccio-s
Kardinali François-Xavier Bustillo, ipeshkëv i Ajaccio-s, kryeqendër e Korsikës në Francë, është një nga prelatët më aktivë në Kishën katolike. I përket rregullës së Françeskanëve konventualë dhe është autor i disa publikimeve të përkthyera në gjuhë të ndryshme. Në librin e tij “Réparation” (“Të ndreqësh”), botuar nga Fayard në Paris në vitin 2025, tërheq vëmendjen një reflektim i autorit mbi nevojën për të kapërcyer ngasjet për linçim dhe asgjësim të tjetrit, si edhe për të kultivuar një mjedis ku rilidhen fijet e respektit të ndërsjellë, pa të cilin asnjë shoqëri e paqtuar nuk mund të rritet dhe të përparojë. Kardinali konsideron, në këtë kontekst, se dekorimet dhe ceremonitë e tyre përbëjnë etapa të rëndësishme të ndreqjes së marrëdhënieve njerëzore dhe të zbulimit të dimensioneve të miqësisë dhe të mirësisë. Kalesën po e japim në shqip të përkthyer nga botimi në frëngjisht, f. 37, pasi është një dëshmi interesante e perceptimit të rolit shoqëror të vlerësimeve honorifike dhe të ndikimit të tyre në kulturën e bashkëjetesës:
“T’i ulësh kokën dikujt, ta poshtërosh në sy të të tjerëve, është si të bësh një krim kundrejt anës së tij njerëzore. Poshtërimi publik është një formë torture, fort e vjetër, por e praktikuar edhe sot në forma bashkëkohore. Poshtërimi shkatërron lidhjet shoqërore, njollos marrëdhëniet njerëzore dhe na shpie prapa te pulsionet më arkaike. Të gjesh kënaqësi teksa bën tjetrin të vuajë është shenjë e një regresi moral. Nuk ka në të as guxim dhe as drejtësi. Mizoria degradon po aq atë që e pëson sa edhe atë që e ushtron.
Fisnikëria e vërtetë në marrëdhëniet e ndërsjella dhe ajo e një zemre të pjekur kanë të bëjnë me të nderuarit e tjetrit, me të respektuarit e tij edhe atëherë kur ai shfaqet më i brishtë. Ky është thelbi i të qenit vërtet njeri dhe vërtet i njerëzishëm.
Dalja nga epoka e mosbesimit shfaqet sot emergjente. Një tjetër epokë duhet t’i zërë vendin: ajo e besimit. Nuk po bëj këtu apologjinë e naivitetit, por një thirrje për të rehabilituar gjeste, rite, fjalë që rithurin lidhjet dhe kremtojnë të mirën.
Në disa prej ceremonive të Republikës, kur jepet një vlerësim – Legjioni i Nderit, medalja ushtarake, Urdhrit i Meritës – është zakon të flitet mirë për personin që nderohet, t’i përshkohet rrugëtimi, t’i nxirren në pah angazhimet. Këto janë vërtet çaste të vyera, gjatë të cilave kushdo përjeton emocionin në sytë e të afërmve, krenarinë e heshtur të një familjeje, jehonën pa zhurmë të një jete të dhuruar”.
Referenca: Cardinal François Bustillo, Réparation, Fayard, Paris, 2025, 162 ff.

