DEKORATA
Ylli i Madh i Urdhrit të Lisit Akademik, me propozim të Kryeministrit, dhe me dekret nr. 446, datë 05.12.2025.
Motivacioni
“Në shenjë vlerësimi për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e shkencës juridike shqiptare, për veprën e tij të gjerë dhe rolin e pazëvendësueshëm në formimin e brezave të juristëve në Shqipëri dhe Kosovë. Për kontributin e tij themelor në pasurimin e kulturës juridike kombëtare, përkrahjen e kërkimit shkencor dhe standardeve akademike në fushën e së drejtës penale dhe të së drejtës zakonore”.
Biografi e shkurtër
Prof. Dr. Ismet Elezi është një ndër figurat më përfaqësuese të jurisprudencës shqiptare dhe një nga personalitetet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e shkencave juridike dhe të së Drejtës Penale në Shqipëri. I lindur më 5 prill 1920 në Fterrë të Vlorës, ai i kushtoi gjithë jetën studimit, mësimdhënies dhe konsolidimit të sistemit juridik shqiptar, duke u shndërruar në një prej autoriteteve më të respektuara të së drejtës penale dhe kriminologjisë. Karriera e tij akademike, e shtrirë për më shumë se gjashtë dekada, përfaqëson një kontribut të jashtëzakonshëm në formimin e brezave të juristëve dhe në ngritjen e standardeve shkencore të Fakultetit të Drejtësisë. Ai është dalluar për profesionalizmin e rrallë, përkushtimin ndaj dijes dhe qasjen e thelluar shkencore në trajtimin e problematikave juridike me ndikim të madh në zhvillimin e sistemit juridik dhe kulturës së ligjit në Shqipëri. Në veçanti, Prof. Elezi njihet gjerësisht si “babai i së drejtës penale” në Shqipëri, pasi punimet e tij ndihmuan në vendosjen e strukturave moderne të kësaj fushe, si në nivel doktrinar, ashtu edhe në nivel legjislativ. Përveç rolit akademik, ai ka kontribuar aktivisht në hartimin dhe përmirësimin e legjislacionit shqiptar, duke marrë pjesë si ekspert, hartues apo oponent në shumë iniciativa ligjore. Vepra e tij shkencore përfshin mbi dyqind e tetëdhjetë studime, artikuj, monografi dhe tekste universitare, të cilat janë referenca themelore në studimet juridike. Një vend të veçantë në punimet e tij zë edhe e drejta zakonore, ku Prof. Dr. Elezi ka analizuar trashëgiminë juridike shqiptare dhe rolin e saj në zhvillimin e vetëdijes shoqërore dhe kulturës së ligjit. Botimi i tij “Kanuni i Labërisë” është një vlerë e shtuar në të Drejtën Zakonore shqiptare. Për kontributet e tij të shumëanshme, Prof. Dr. Ismet Elezi është nderuar me vlerësime të rëndësishme nga institucione shtetërore, akademike dhe profesionale. Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh (Angli) në vitin 1998 e ka shpallur Prof. Elezin “Njeriu Ndërkombëtar në Shkencë”. Shoqata Ndërkombëtare e Penalistëve me qendër në Paris (Francë) e ka shpallur “Kryetar Nderi i grupit të Penalistëve në Shqipëri e në Kosovë”, ndërsa Fakulteti Juridik në Prishtinë i ka dhënë Medaljen e Mirënjohjes për merita të veçanta. Kolegji Gjilan-Prishtinë i ka dhënë titullin “Doctor Honoris Causa” dhe Kolegji Evropian-Prishtinë i ka dhënë çmimin e ekselencës. Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë i ka dhënë medaljen “Nderi i Akademisë së Shkencave”. Në vitin 2019, Presidenti i Republikës së Kosovës i ka akorduar Medaljen Presidenciale të Meritave, “Për kontributin e dhënë në fushën e shkencës”. Ai është vlerësuar gjerësisht për integritetin, urtësinë dhe thjeshtësinë që e kanë karakterizuar gjatë gjithë karrierës, duke mbetur një figurë frymëzuese për juristët e rinj dhe për të gjithë komunitetin akademik.
Prof. Dr. ISMET ELEZI


