Artikuj

,

Lajme

,

Media

MEDALJONI I 100-VJETORIT TË URDHRIT TË SKËNDERBEUT

Medaljoni i 100-Vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut u godit me porosi të Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, në vitin 2025, për të përkujtuar dhe kremtuar krijimin, historinë dhe vazhdimësinë e dekoratës së parë shqiptare të konceptuar si Urdhër Kombëtar në suazën e regjimit republikan.

 

Medaljoni u konceptua grafikisht nga Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve dhe nga Z. Ajten Toptani, ekspert në Kancelarinë e Urdhrave dhe Medaljeve.

 

Medaljoni paraqitet në formë rrethore.

@Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, 2025

Në anën e parme sipërfaqja ndahet në dysh në mënyrë diagonale nga një fragment i Kolierit të Nderit të Shqipërisë, i cili pati qenë në fillim shkalla më e lartë e Urdhrit të Skënderbeut. Fragmenti është një alternim shqiponjash dhe buqetash dafine në shtratin e të cilave prehet një yll pesëcepësh. Në pjesën e sipërme të sipërfaqes është gdhendur diçitura e harkuar “100 VJETORI I URDHRIT TË SKËNDERBEUT 1925-2025”, si edhe paraqitja në profil e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, sipas portretit të Cristofano dell’Altissimo që gjendet në Galerinë Uffizzi të Firences. Mbi këtë portret është modeluar edhe shqyti qendror i dekoratës së Urdhrit të përtërirë të Skënderbeut që jepet sot nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Në pjesën e poshtme të sipërfaqes janë gdhendur simboli ose logoja e institucionit, tok me diçiturën e harkuar “KANCELARIA E URDHRAVE DHE MEDALJEVE TË REPUBLIKËS”.

 

Në anën e pasme sipërfaqja paraqitet e rrethuar me një kurorë gjethesh lisi dhe dafine të bashkuara në bazë nga një kordele, e cila përfundon në krye si shirit i shkallës së komandarit të Urdhrit të Skënderbeut të vitit 1925, përfaqësuar nga shqiponja dykrerëshë me çernierë yllin pesëcepësh dhe me trofeun karakteristik të armëve të viteve 1920-1930 në kraharor. Në krah të djathtë të shqiponjës është paraqitur shkalla e oficerit të Urdhrit të Skënderbeut të vitit 1925, ndërsa në të majtë, dekorata e Urdhrit të Skënderbeut të përtërirë në vitin 2025, për të nxjerrë në pah vazhdimësinë e kësaj dekorate domethënëse të Shtetit shqiptar. Nën dy imazhet e sipërpërshkruara është gdhendur një kartelë me kornizë ku vendoset emri dhe cilësia e personit fizik ose juridik të cilit i është dhuruar.

 

Medaljoni i 100-Vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut është goditur në bronz, me një diametër 70mm, nga argjendari “Pirro” në Tiranë. Ai është prodhuar si seri e mbyllur, në 200 copë. Medaljoni i dhurohet personaliteteve të larta shtetërore vendase dhe të huaja që kanë shenjuar Jubileun e 100-Vjetorit, dhe si shenjë mirënjohjeje personave që kanë ndihmuar në plan të parë në organizimin dhe suksesin e këtij përvjetori.

 

Mbajtësit e Medaljonit shkruhen në një regjistër të posaçëm i cili mbahet në Kancelarinë e Urdhrave dhe Medaljeve.

Galeri

© 2025 Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve e Republikës së Shqipërisë. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Fotografitë e publikuara në këtë galeri janë pronë ekskluzive e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve. Çdo riprodhim, shpërndarje, modifikim ose përdorim i tyre për qëllime publike apo komerciale, pa autorizimin paraprak me shkrim të Kancelarisë, përbën shkelje të së drejtës së autorit dhe ndiqet penalisht sipas legjislacionit në fuqi.