Artikuj

,

Lajme

,

Media

VIZITË ZYRTARE NË PARIS E KANCELARIT TË URDHRAVE DHE MEDALJEVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, z. Tomi Frashëri, zhvilloi një vizitë zyrtare në Paris në datat 15-17 dhjetor 2025, synimi i të cilës ishte njohja e publikut të specializuar me sistemin e ri të vlerësimeve honorifike të Republikës së Shqipërisë dhe vënia e bazave të një bashkëpunimi teknik të përhershëm me Kancelarinë e Madhe të Legjionit të Nderit, institucioni model europian i administrimit të urdhrave dhe medaljeve.

 

Më 16 dhjetor, Kancelari UMR, i shoqëruar nga z. Dritan Tola, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Francë, u mirëprit në Muzeun e Legjionit të Nderit dhe të Urdhrave të Kalorësisë nga Drejtori dhe Konservatori, z. Peter Keller, si edhe nga kryesia e Shoqatës së Miqve të Muzeut të përbërë nga z. Dominique Henneresse, Cyrille Cardona dhe Patrick Spillaert. Në muzeun më të madh në botë të urdhrave dhe medaljeve, z. Tomi Frashëri u mirëprit jo vetëm në cilësinë e Kancelarit UMR, por edhe në atë të anëtarit të Shoqatës së Miqve të Muzeut ku bën pjesë prej vitit 2019. Në prani të një publiku të specializuar, Kancelari UMR prezantoi si fillim kompletet e tre yjeve të mëdhenj të Urdhrit Suprem të Shqiponjës, të Urdhrit të Skënderbeut dhe të Urdhrit të Lisit Akademik, si edhe medaljonin e 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut. Më pas, për rreth 2 orë, ai mbajti një konferencë prezantuese me titull “L’Albanie chevalersque, hier et aujourd’hui” e cila u fokusua në një panoramë të historisë europiane të Shqipërisë, qysh nga Mesjeta, përmes historisë së urdhrave kalorsiakë dhe të nderimeve publike në shekuj. Konferenca u ndoq nga një sesion pyetje-përgjigjesh. Të pranishmit shprehën interes të lartë për sistemin e ri shqiptar të vlerësimeve honorifike. Aktiviteti u zhvillua në një nga mjediset më të zgjedhura të Muzeut: salla e Urdhrave mbretërorë francezë të shekujve XV-XIX.

 

Më 17 dhjetor, Kancelari UMR, i shoqëruar nga z. Dritan Tola, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Francë, u prit në një takim zyrtar në Pallatin e Legjionit të Nderit nga Gjeneral armate François Lecointre, Kancelari i Madh i 36-t i Urdhrit të Legjionit të Nderit. Gjatë takimit u renditën mundësitë e bashkëpunimit teknik midis dy institucioneve, duke pasur parasysh modelin që përbën për Kancelarinë UMR, Kancelaria e Madhe e Legjionit të Nderit. Gjenerali Lecointre vlerësoi përpjekjet e Shqëipërisë për t’u pajisur me një sistem domethënës të vlerësimit të mëritës, i përqëndruar te dallimi i njerëzve me kontribute, dhe u tregua i gatshëm të përkrahë çdo nismë bashkëpunimi teknik dhe institucional në vijim. Me këtë rast, dy kancelarët nënshkruan një marrëveshje për përfshirjen e dekoratave shqiptare në inventarin e Muzeut të Legjionit të Nderit. Kompletet e yjeve të mëdhenj të tre urdhrave kombëtarë të Shqipërisë iu dorëzuan Kancelarit të Madh, me synimin që në një të ardhme të afërt dekoratat e vendit tonë të ekspozohen në mënyrë permanente në muzeun më të rëndësishëm të dekoratave në botë, duke kontribuar kështu në rritjen e prestigjit dhe të imazhit ndërkombëtar të Shqipërisë.