Me ftesë të Institucionit Arsimor të Legjionit të Nderit në Saint-Denis pranë Parisit (Maison d’éducation de la Légion d’honneur, Saint-Denis), Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, Z. Tomi Frashëri, mori pjesë në ceremoninë tradicionale të urimeve të fillimvitit që nxënëset e kësaj shkolle organizojnë në nder të Kancelarit të Madh të Urdhrit Kombëtar të Legjionit të Nderit, njëkohësisht Kancelar i Urdhrit Kombëtar të Meritës.
Institucioni Arsimor i Legjionit të Nderit është një nga shkollat e mesme më cilësore në Francë, e cila i rezervohet vajzave, pasardhëse të anëtarëve të dy urdhrave kombëtarë francezë, si edhe të dekoruarve me Medaljen e Meritës Ushtarake. Përzgjedhja është e rreptë dhe formimi i gjithanshëm, i cili përgatit edhe për konkurset sfiduese të “shkollave të mëdha” (Grandes écoles).
Pas kësaj ceremonie, Z. Tomi Frashëri u ftua të ishte i pranishëm në dekorimin në shkallën e kalorësit në Urdhrin Kombëtar të Meritës të pianistes franko-shqiptare Maniola Camuset-Trebicka. E vlerësuar edhe më parë në Urdhrin e Palmave Akademike nga Ministri francez i Kulturës, Znj. Camuset-Trebicka u dekorua kalorës në urdhrin e dytë kombëtar me dekret të Presidentit të Republikës Emmanuel Macron, për merita të dalluara, sidomos në mësimdhënien e pianos prej shume vitesh, si pjesë e stafit të Institucionit Arsimor të Legjionit të Nderit. Shenjat e kalorësit iu dorëzuan nga Gjeneral Armate François Lecointre, Kancelar i Madh i Legjionit të Nderit dhe Kancelar i Urdhrit Kombëtar të Meritës.
Urdhri Kombëtar i Meritës është urdhri i dytë kombëtar, pas atij të Legjionit të Nderit. Ai u themelua në vitin 1963 nga Presidenti i atëhershëm i Republikës Franceze, Gjenerali Charles de Gaulle.
Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve i shpreh Znj. Manjola Trebicka-Camuset, bashkatdhetares sonë në diasporë, e vlerësuar për meritat e saj profesionale dhe njerëzore në vendin ku jeton e punon, përgëzimet më të sinqerta.


