Artikuj

,

Lajme

,

Media

DHURIMI I MEDALJONIT TË 100-VJETORIT TË URDHRIT TË SKËNDERBEUT SHENJTËRORES SË ZOJËS SË KËSHILLIT TË MIRË NË GENAZZANO, ITALI

Në kuadrin e organizimit të Vitit Jubilar kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë (2026-2027) – shpallur Pajtore e Shqipërisë nga Koncili III Shqiptar (1895), me bekimin e Papës Leoni XIII, në shkurt 1896, pasditen e së mërkurës, 4 shkurt 2026, Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama, së bashku më Znj. Rama dhe djalin Zaho, zhvilloi një vizitë private në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano, pranë Romës. Kryeministri shoqërohej edhe nga një delegacion zyrtar në të cilin përfshihej Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, Z. Tomi Frashëri.

 

Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë mbahet prej etërve rregulltarë augustinianë, rregull së cilës i përket edhe Papa Leoni XIV. Ajo ruan në një prej kapelave të saj fragmentin e një muri me ikonën e pikturuar të Zojës së Këshillit të Mirë. Sipas legjendës, ky fragment u shkëput në vitin 1467 nga kisha e Zojës në afërsi të qytetit të Shkodrës dhe u çua mrekullisht në kishën e Genazzano-s për t’i shpëtuar luftrave të kohës. Për këtë arsye, Shenjtërorja e Genazzano-s nuk është vetëm një vend pelegrinazhi lokal, por edhe një udhëkryq shpirtëror dhe kombëtar për të gjithë shqiptarët që ushqejnë përshpirtshmëri të veçantë për Pajtoren e Shqipërisë. Qysh nga rinia e tij, Papa Leoni XIV e ka vizituar Shenjtëroren, dhe është lutur përpara ikonës së Zojës së Këshillit të Mirë, jo më pak se 42 herë. Një nga gjestet e para të tij pas zgjedhjes në katedrën e Pjetrit qe edhe vizita falënderuese pranë këtij tempulli.

 

Gjatë vizitës së tij – e para e një përfaqësuesi të lartë shtetëror nga Shqipëria që prej vitit 1467 – Kryeministri u mirëprit nga rektori, Fra’ Ludovico Centra o.s.a., dhe mori pjesë në një shërbesë të shkurtër lutjeje për Shqipërinë. Shenjtërores së Genazzano-s iu dhurua me këtë rast edhe medaljoni i 100-Vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, gdhendur posaçërisht me emrin e saj.