Me rastin e 35 vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si edhe në kuadrin e organizimit të Vitit Jubilar kushtuar Zojës së Këshillit të Mirë (2026-2027) – shpallur Pajtore e Shqipërisë nga Koncili III Shqiptar (1895), me bekimin e Papës Leoni XIII, në shkurt 1896 – Ati i Shenjtë Leoni XIV priti në audiencë, ditën e enjte, 5 shkurt 2026, delegacionin zyrtar shqiptar të udhëhequr nga Kryeministri, Z. Edi Rama. Kryeministri shoqërohej edhe nga Znj. Linda Rama dhe nga djali i tyre, Zaho. Delegacioni u mirëprit në formatin zyrtar në Pallatin Apostolik. Pas takimit kokë më kokë mes Atit të Shenjtë dhe Kryeministrit, Papa Leonit XIV iu prezantua edhe delegacioni shoqërues. Në delegacion merrte pjesë edhe Z. Tomi Frashëri, Kancelar i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës.
Përveç shkëmbimit tradicional të dhuratave, Kryeministri u kujdes t’i dhuronte Papës edhe medaljonin përkujtimor të 100-Vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, i cili u gdhend me emrin e Atit të Shenjtë. Me atë rast u soll në kujtesë roli madhor në historinë shqiptare dhe europiane që mishëron Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Papa Leoni XIV i dhuroi nga ana e tij delegacionit medaljen e vitit të parë të papnisë. Kjo medalje u vu në qarkullim zyrtar për herë të parë mëngjesin e 5 shkurtit 2026, gjatë të cilit u zhvillua edhe audienca me delegacionin shqiptar.
Medaljoni i 100-Vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut iu dhurua gjithashtu edhe Eminencës së Tij Kardinalit Pietro Parolin, Sekretar Shteti i Selisë së Shenjtë, pas takimit dypalësh që ai pati me Kryeministrin Edi Rama dhe delegacionin zyrtar shqiptar. Në këtë takim merrte pjesë edhe Kancelari Tomi Frashëri. Kardinali Parolin, i cili është mbajtës i Klasit I (Ylli i Madh) të Medaljes për Mirënjohje Publike, akorduar nga Kryeministri në vitin 2021, vlerësoi lart figurën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut dhe shprehu falënderimet e tij për dhuratën e veçantë.

