Në 4 mars 2026, në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u nënshkrua Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Marrëveshja u nënshkrua nga Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, z. Tomi Frashëri, dhe Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, znj. Vilma Premti.
Kjo marrëveshje synon të forcojë bashkëpunimin institucional ndërmjet dy institucioneve në fushën e studimeve historike, shkëmbimit të informacionit arkivor dhe dokumentimit të trashëgimisë që lidhet me sistemin e dekoratave dhe medaljeve të Republikës së Shqipërisë.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, palët do të bashkëpunojnë në identifikimin, studimin dhe promovimin e dokumentacionit historik që lidhet me procesin e dekorimeve shtetërore, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve diplomatike dhe ndërkombëtare të vendit. Bashkëpunimi do të përfshijë gjithashtu zhvillimin e projekteve të përbashkëta studimore, botuese dhe promovuese, si dhe organizimin e aktiviteteve shkencore dhe ekspozuese.
Marrëveshja krijon një kuadër të qëndrueshëm bashkëpunimi ndërinstitucional dhe synon të kontribuojë në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë dokumentare që lidhet me dekorimet shtetërore, si pjesë e kujtesës institucionale dhe historike të Republikës së Shqipërisë.
© 2025 Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës. Të gjitha të drejtat e rezervuara.







