Kancelari i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, Z. Tomi Frashëri, ishte pjesë e delegacionit shqiptar në takimet zyrtare që u zhvilluan me delegacionin e Urdhrit Sovran të Maltës me rastin e vizitës shtetërore të Princit dhe Mjeshtrit të Madh, L. T. SH. Fra’John Dunlap, në Tiranë, më 19 mars 2026. Princi dhe Mjeshtri i Madh i 81-të i Urdhrit u ndodh në Shqipëri, pas një vizite shtetërore në Mal të Zi, me ftesë të Presidentit të Republikës, Z. Bajram Begaj.
Princi dhe Mjeshtri i Madh u pritën edhe nga Kryeministri, Z. Edi Rama. Në fund të takimit, Kryeministri i dhuroi Princit dhe Mjeshtrit të Madh, si edhe Kancelarit të Madh të Urdhrit, SH. T. Riccardo Paternò di Montecupo, Medaljonin e 100-Vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut.
Në më shumë se 30 vite marrëdhënie diplomatike, Shqipëria ka përfituar një ndihmë të qenësishme në fushën mjekësore dhe në përballimin e fatkeqsive shoqërore ose natyrore. Përmes veprave të tij të larmishme, Urdhri i Maltës ka qenë aktiv në vendin tonë që në fillim të viteve 1990 dhe ka dhënë, mes të tjerash, asistencë të çmuar për refugjatët gjatë luftës në Kosovë dhe për të pastrehët pas tërmetit të vitit 2019.
Urdhri Sovran i Maltës, i njohur zyrtarisht nga mbi 115 shtete të botës nën emrin e Urdhrit Sovran Ushtarak të Shën Gjonit të Jerusalemit, të Rodit dhe të Maltës, në kujtim të territoreve historike ku është themeluar dhe ka ushtruar sovranitetin për gati një mijëvjeçar, është entitet i të drejtës ndërkombëtare, i anëtarësuar me statusin e vëzhguesit në OKB. Ndonëse pa territor, selitë e tij gëzojnë statusin e ekstraterritorialitetit në Romë. Trupi diplomatik i akredituar pranë Urdhrit është i njëjti me atë që akreditohet pranë Selisë së Shenjtë. Sot për sot, me “ushtrinë e tij të dashurisë” prej 120.000 mjekësh, infirmierësh dhe vullnetarësh në çdo skaj të rruzullit dhe në zonat më të vështira të konflikteve dhe katastrofave natyrore, Urdhri i Maltës është një nga referencat botërore, së bashku me Kryqin e Kuq, të ndihmës mjekësore dhe të ekspertizës së menaxhimit të krizave njerëzore në nivel ndërkombëtar.
Urdhri i Shën Gjonit, i themeluar si spital për pelegrinët në Jerusalem në fillim të viteve 1000, e i njohur si urdhër rregulltar autonom nga Papa Paskal II më 1113, ka lidhje të vjetra, ndonëse pak të njohura me Shqipërinë. Në shekullin XV, anëtarë të tij u angazhuan në luftën e Skënderbeut kundër osmanëve. Duke filluar nga shekulli pasues, shumë arbërorë që kanë bërë histori, e midis tyre edhe familjarë dhe pasardhës të Gjergj Kastriotit, janë pranuar kalorës dhe dama të Urdhrit. Njëri prej tyre, Fra’ Giorgio Maria Castriota Skanderbeg, iu përkushtua sjelljes së ndihmave të para mjekësore për vendin amë pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri.
Urdhri Sovran i Maltës është gjithashtu një nga organizmat ndërkombëtarë me ekspertizën më autoritative në fushën e nderimeve publike. Përmes Aleancës së Urdhrave të Shën Gjonit, ai vigjilon mbi trashëgiminë e urdhrave kalorsiakë dhe mbi autenticitetin e tyre kudo në botë.

