Pjesëmarrësit në Samitin IV të Diasporës Shqiptare, i cili zhvillon punimet në Tiranë në datat 14-15 prill 2026, u mirëpritën në mbrëmjen e ditës së hënë, 13 prill, nga autoritetet më të larta të Shtetit, gjatë një Ceremonie Mirëseardhjeje nën kujdesin e veçantë të Presidentit të Republikës, Z. Bajram Begaj. Në ceremoninë e zhvilluar në Sallën e Madhe të Koncerteve në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, ku ishin të pranishëm mbi 800 të ftuar, morën pjesë Kryetari i Kuvendit, Z. Niko Peleshi, Kryeministri, Z. Edi Rama, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Z. Ferit Hoxha, anëtarë të Qeverisë, të Kuvendit, krerët e komuniteteve fetare, si edhe shumë personalitete nga Shqipëria, Republika e Kosovës, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe nga gjithë diaspora.
Moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte vlerësimi përmes dekorimit në tre urdhrat kombëtarë të disa personaliteteve me kontribute të spikatura në Diasporë, si edhe të disa figurave të huaja që janë dalluar në shërbim të rrezatimit të imazhit të Shqipërisë në botë dhe në tërheqjen e investimeve të huaja në vend.
Ceremonia e dekorimit u kryesua nga Presidenti i Republikës, Kryetar i Urdhrave, nën moderimin e Kancelarit të Urdhrave dhe Medaljeve, Z. Tomi Frashëri. Pas fjalës së tij, dhe ndërkohë që Kancelari njoftoi dekretet përkatëse dhe lexoi motivacionet për secilin prej të dekoruarve, Presidenti i Republikës iu vendosi në kraharor shenjat e kalorësisë këtyre personaliteteve:
- – Z. Gentian Toshkëzi: Kalorës në Urdhrin Suprem të Shqiponjës;
- – Z. Lorik Cana: Kalorës në Urdhrin e Skënderbeut;
- – Znj. Klarita Gërxhani: Kalorës në Urdhrin e Lisit Akademik;
- – Znj. Shqiponje Telhaj: Kalorës në Urdhrin e Lisit Akademik;
- – Prof. Dr. Markus Schuhmann: Oficer në Urdhrin e Skënderbeut;
- – Z. Anders Lindberg: Kalorës në Urdhrin e Skënderbeut.
Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve përgëzon anëtarët dhe të dekoruarit e rinj në urdhrat kombëtarë dhe i uron suksese në veprimtarinë e tyre në shërbim të Shqipërisë dhe të vlerave më të larta që na bashkojnë në familjen europiane dhe demokratike.
© 2026 Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve e Republikës së Shqipërisë. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

