Artikuj

,

Lajme

,

Media

François Hollande, ish-President i Republikës Franceze, dekorohet me Medaljen e Artë të Mirënjohjes Publike (Kordoni i Madh me Yll)

I ftuar nga Kolegji i Europës për një konferencë publike rreth sfidave të zgjerimit të Bashkimit Europian, Z. François Hollande, ish-President i Republikës Franceze dhe aktualisht deputet në Asamblenë Kombëtare të Francës, zhvilloi një vizitë në Tiranë në datat 24-25 qershor 2026.

Në kuadër të kësaj vizite, ish-Presidenti Hollande u dekorua nga Kryeministri Edi Rama me Medaljen e Artë të Mirënjohjes Publike (Kordoni i Madh me Yll), për kontributin e tij të veçantë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Francës dhe Shqipërisë, si edhe për mbështetjen e madhe ndaj vendit tonë në procesin e integrimit europian. Në fjalën e tij, gjatë ceremonisë së dekorimit, Kryeministri theksoi se ish-Presidentit Hollande i takonin dy merita të mëdha, të cilat justifikonin dekorimin “për merita” dhe jo thjesht për arsye protokollare: ndryshimi i kursit tradicional mbi zgjerimin e BE, çka i hapi Shqipërisë rrugën e statusit të vendit kandidat më 2014; nënshkrimi i partneritetit strategjik mes dy vendeve më 2017, një dokument që mbetet baza e të gjitha marrëveshjeve të mëtejshme dypalëshe në fushën e ekonomisë, mbrojtjes, kulturës dhe forcimit të shtetit të së drejtës. Kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e vlerësimit që i akordohej ish-Presidentit francez, duke kujtuar rëndësinë simbolike të Medaljes së Mirënjohjes Publike, e cila ka bërë bashkë emra të mëdhenj të historisë moderne dhe bashkëkohore, si Shimon Peres, Angela Merkel, Bill Clinton, Mohammed Bin Zayed dhe shumë të tjerë.

François Hollande ka ushtruar detyrën e Presidentit të Republikës Franceze në vitet 2012-2017. Prej funksionit ai ka qenë në ato vite Mjeshtri i Madh i 32 i Urdhrit të Legjionit të Nderit dhe i Urdhrit Kombëtar të Meritës. Përgjatë mandatit të tij presidencial ai është dekoruar rreth 42 herë nga kryetarë shtetesh dhe qeverish në kuadrin e praktikës së njohur të “diplomacisë së dekoratave”.