Artikuj, Lajme

NJË TITULL I RI NË STUDIMET FALERISTIKE “NAIMI I DEKORUAR DHE NAIMI DEKORATË”

Frashëri, Thomas

Naimi i dekoruar dhe Naimi dekoratë/ Thomas Frashëri. –

Tiranë : Onufri, 2026.

140 f. : me il. ; 17 x24 cm.

ISBN 9789928861504

I shkruar me rastin e 180-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar Naim Frashëri, libri i thukët studimor “Naimi i dekoruar dhe Naimi dekoratë”, me autor Thomas Frashërin, ka dalë në qarkullim nga Shtëpia Botuese “Onufri” gjatë muajit tetor, i cili përkujtohet si muaji i ndarjes nga jeta të personalitetit të shquar. Përmes këtij libri, Thomas Frashëri, Kancelar i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, i ka shtuar serisë së librave fort të rrallë mbi faleristikën në Shqipëri një studim të dedikuar. Synimi i studimit është shpalosur nga vetë pena e autorit në parathënien e tij:

Në 180-vjetorin e tij të lindjes dhe pak vite përpara se të përkujtohet 130-vjetori i kalimit të tij në amshim, studimi i shkurtër që i propozohet lexuesit synon të shërbejë si nxitje për të shtuar përpjekjet kërkimore mbi dokumentimin e jetës dhe trashëgimisë së poetit kombëtar Naim Frashëri. Me kushtin që të rroket në kompleksitetin e vet, me një gamë sa më të zgjeruar pikënisjesh studimore, konteksti kohor, vendor dhe kulturor i ofron studiuesit një fushëpamje të gjerë e të papritur për të plotësuar mozaikun e personalitetit dhe të proceseve historike ku emri dhe identiteti i tij janë gjendur të përfshirë.

Procesi i parë nën vëzhgim ka të bëjë me përparimin në burokracinë administrative osmane të Naim be Frashërit e më veçanërisht me përfshirjen e tij në kategorinë elitare të saj. Instrumenti që ofrohet për të soditur dhe për t’iu qasur përkatësisë shoqërore në fjalë nuk është aq karriera si e tillë, sesa mënyra e dallimit ose shquarsimit të tij përmes dekorimit në shkallë të larta të një emërtese honorifike osmane. Në studimet shqiptare, përdorimi i faleristikës – shkenca e nderimeve publike – premton të jetë një mënyrë e re për të plotësuar dhe saktësuar profilin prosopografik të një sërë personalitetesh.

Procesi i dytë, i cili e tejkalon historishkrimin strikt, por që, mbështetur në instrumente specifike të shkencave ndihmëse, mund të kuptohet vetëm si proces historik, është shndërrimi i vetë fytyrës dhe emrit të Naim Frashërit në emërtesë honorifike – shenjë “legale”; shenjë lavdie – të shtetit të organizuar si burim sovran nderimesh (fons honorum).

Historia e dekoratës “Naim Frashëri” në vitet 1965-2013 dhe pas shfuqizimit të saj, e një titulli nderi me të njëjtin emër (2013-2023), është dëshmi plot kontraste e marrëdhënieve të ndërlikuara mes ecurisë së shoqërisë shqiptare – nga një regjim në tjetrin – dhe jetës simbolike aktive të shenjave dhe figurave themeluese të kombit. Ajo është gjithashtu një shembull dhe një paralajmërim për kujdesin konservativ dhe kreativ njëherazi që duhet treguar ndaj integritetit, aktualizimit, rrezatimit të këtyre figurave dhe kungatës mes tyre dhe brezave, duke mos ua shterur traditën e gjallë brenda simboleve “legale” e për të mos ia lënë atë peng “arkeologjisë së lavdisë”.

Autori, 25 maj 2026

I urojmë autorit dhe kolegut Frashëri suksese të mëtejshme në veprimtarinë e tij kërkimore në fushën e faleristikës.