Artikuj

,

News

,

Media

SHUHET PROF. REXHEP QOSJA “NDER I KOMBIT”, KORDON I MADH ME YLL I MIRËNJOHJES PUBLIKE

Ditën e djeshme, 23 prill 2026, në Ditën Ndërkombëtare të Librit, u njoftua ndarja nga jeta e Prof. Rexhep Qoses, një nga autorët më me ndikim në letrat shqipe të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të çerekut të parë të shekullit XXI. Përmes eseistikës dhe publicistikës së tij, Prof. Rexhep Qosja iu avit me thellësi, por edhe me shumë mjeshtëri dhe elegancë atyre që një tjetër shkrimtar i madh, Lumo Skëndo – me emrin e të cilit është pagëzuar Çmimi i përvitshëm kombëtar i Librit që iu akordua të ndjerit vitin e kaluar për veprën e tij – quante “Plagët tona”. Autor depërtues dhe i kthjellët, personalitet humanist dhe i angazhuar për vetëvendosjen e shqiptarëve dhe respektimin e të drejtave themelore të gjithkujt, Prof. Rexhep Qosja do të mbahet mend, nga kushdo e ka njohur, edhe si një mishërim i burrërisë dhe njëkohësisht i elegancës, shijes së hollë dhe sjelljeve të qëruara.

Me dekret nr. 2322, datë 24 shkurt 1999, Presidenti i Republikës Rexhep Mejdani e vlerësoi me emërtesën honorifike “Nderi i Kombit” – asokohe urdhër, jo thjesht dekoratë, siç do të kthehet në vitin 2013.

Prof. Rexhep Qosja ishte edhe dinjitar i Medaljes së Kryeministrit për Mirënjohje Publike. Më 27 shtator 2021, Kryeministri Edi Rama e dekoroi të ndjerin me Kordonin e Madh me Yll të kësaj medaljeje, gjatë një ceremonie të veçantë në Prishtinë, në prezencë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Gjatë fjalës që mbajti në atë rast, Kryeministri Rama iu referua simbolikës së Medaljes për Mirënjohje Publike:

Mbetet personal për mua një përjetim i vitit 2018, që ishte këtej e andej bjeshkëve një moment i veçantë, përbashkues, kombëtar, rreth kujtimit dhe përkujtimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut, në 550-vjetorin e kalimit të tij në amshim. Profesor Rexhepi, së bashku me Ismail Kadarenë dhe të tjerë personalitete të kulturës shqiptare, u bë një nga kumbarët e këtij përvjetori. Në kullën e tij prej librash në Prishtinë, ai pranoi në intimitet për këtë arsye që ta merrte simbolin e vogël të praruar të Vitit Mbarëkombëtar, të cilin menjëherë e vendosi në jelek, në krahun e zemrës. Dua ta them sot se kur e pashë fotografinë e asaj dite, yllin e vulës së Gjergj Kastriotit me 36 rrezet e alfabetit tonë kombëtar në krahun e zemrës së Rexhep Qoses, pata ndjesinë që simboli do ta kishte jetën e gjatë.

Ky simbol është tanimë ai i Medaljes së Kryeministrit të Shqipërisë për Mirënjohjen Publike, të cilin kam nderin e jashtëzakonshëm t’ia dorëzoj sot Profesorit të shtrenjtë, në praninë e kësaj audience të nderuar dhe së bashku me Kryeministrin e Kosovës, bash në përvjetorin e 85-të të jetës së tij, e cila është e shënjuar nga drita e atij ylli”.

Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të të ndjerit.

Prof. Rexhep Qosja do të kujtohet kurdoherë me respekt dhe mirënjohje, si një nga Kalorësit e përkorë të letrave dhe mendimit shqip.

Foto nga ceremonia e dekorimit të Prof. Rexhep Qoses nga Kryeministri Edi Rama, me Kordonin e Madh me Yll i Mirënjohjes Publike,  27 shtator 2021.