Më 1 maj 2026, u nda nga jeta, në moshën 96-vjeçare, Abaz Hoxha, një nga figurat themelore të kinematografisë shqiptare dhe historiograf i saj. Ai i kushtoi jetën dhe karrierën e tij zhvillimit dhe kujtesës së artit kinematografik.
Karriera e tij profesionale nisi menjëherë pas kthimit nga Praga ku ai studioi, si inxhinier zëri në Kinostudion “Shqipëria e Re”, dhe vazhdoi si kryeinxhinier i po këtij institucioni, për të vazhduar më tej si drejtues i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit për 17 vjet radhazi, anëtare e Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmave (FIAF). Pas viteve 1990, Abaz Hoxha ia kushtoi veprimptarinë e tij pedagogjisë, duke dhënë leksione të Historisë së Kinematografisë në Akademinë e Arteve dhe në Akademinë “Marubi”, si edhe punës së palodhur studimore e botuese, si anëtar i Redaksisë së Arteve dhe Arkitekturës në Akademinë e Shkencave.
Abaz Hoxha ishte gjithashtu, autor i mbi 150 shkrimeve studimore dhe kritike.
Me propozim të Kryeministrit, ai u dekorua me Yllin e Madh të Urdhrit të Lisit Akademik nga Presidenti i Republikës, me dekret nr. 447, datë 05.12.2025, “në vlerësim të meritave të gjata e të qëndrueshme të fituara me mund e përkushtim në krijimin, promovimin dhe ruajtjen prej disa dekadash të pasurisë dhe të trashëgimisë së kinematografisë shqiptare, si edhe për kontributin e veçantë në fushat kërkimore përkatëse përmes studimeve të shumta serioze që ka autorësuar”.
Gjatë ceremonisë së dekorimit, Abaz Hoxha u shpreh: “Këtë nder nuk e quaj që më bëhet mua personalisht. Unë, këtë nder, e quaj që i bëhet kinematografisë shqiptare. I kushtohet atyre artistëve të mëdhenj që lanë gjurmë të thella në historinë e kombit tonë, që krijuan një kulturë të re nga e para në kushte shumë të vështira kur nuk gjetën asnjë traditë… Kinematografia shqiptare u bë një ushqim shpirtëror për gjithë popullin shqiptar që mezi prisnin të shikonin filmat tanë.”
Sot, kjo dekoratë mbart edhe peshën e një lamtumire. Ajo që u akordua si kurorëzim i një jete të tërë bëhet edhe dëshmi e fundit zyrtare e mirënjohjes së shtetit ndaj njërit prej bijve të tij më besnikë ndaj kulturës kombëtare.
Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të të ndjerit.


