Jubileu i themelimit të Urdhrit Kombëtar të Skënderbeut u kremtua në mënyrë solemne më 10 dhjetor 2025, në hollin e Pallatit të Kongreseve, në Tiranë. Ceremonia – e cila përkoi saktësisht me datën e botimit të Statutit të Urdhrit të Skënderbeut në Fletoren Zyrtare të Republikës Shqiptare të 10 dhjetorit 1925 – përfaqësoi një ngjarje të paprecedent në gamën e eventeve përkujtimore të Shtetit shqiptar.
Kjo ngjarje pa të gërshetoheshin elementë të ndryshëm të traditës pak të njohur të vlerësimeve honorifike të Shtetit shqiptar: parakalimin ceremonial të dekoratave të vjetra dhe të reja, vendosjen e tyre në vendin e nderit të ceremonisë; shfaqjen e një filmi me materiale të rralla arkivore për lindjen e kësaj tradite në Shqipëri dhe për domethënien e dekoratave në kohën tonë; pranimin në urdhrat kombëtarë të Shqiponjës, të Skënderbeut dhe të Lisit Akademik të 22 personaliteteve nga i gjithë vendi dhe nga të gjithë sektorët e jetës publike.
Pas luajtjes së Himnit të Flamurit dhe të Himnit të Europës së Bashkuar, ceremonia u çel me fjalën e Z. Tomi Frashëri, Kancelar i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës. Z. Edi Rama, Kryeministër dhe Z. Bajram Begaj, President i Republikës, mbajtën më pas fjalët e tyre.
Për herë të parë në cilësinë e Kryetarit të Urdhrave, Presidenti i Republikës vijoi me kryesimin e ceremonisë së pranimit dhe dekorimit në tre urdhrat kombëtarë të personaliteteve, kandidaturat e të cilave, të propozuara nga Kryeministri, ishin shqyrtuar dhe miratuar nga Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve, në përputhje me dispozitat përkatëse të Ligjit nr. 93/2022 “Për Dekoratat në Republikën e Shqipërisë”.
Në këtë mënyrë, i përtërirë në formën e tij klasike, Urdhri i Skënderbeut, themeluar nga Republika e parë shqiptarë, bëri bashkë, megjithë ndërprerjet dhe frakturat historike, kujtesën e të dekoruarve të dikurshëm si Edith Durham, Aleksandër Xhuvani, Mehdi Frashëri, Asdreni, Justin Godard, Faik Konica, Gaqo Goga, Kristo Kono e të tjerë emra të mëdhenj, dhe kontributet e të dekoruarve të këtij shekulli, Pëllumb Xhufi, Aurel Plasari, Seit Mansaku, Matteo Mandalà, Alfred Moisiu, Igli Tare, si edhe ato të shumë personaliteteve të spikatura në fushat e tyre të veprimtarisë, civile dhe ushtarake.
Kremtimi i 10 dhjetorit 2025 shërbeu gjithashtu për të familjarizuar publikun me punën e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës. Në të ishin të pranishëm të ftuar të shumtë, mes të cilëve, përveç Presidentit të Republikës, spikasnin Kryetari i Kuvendit, tërësia e Këshillit të Ministrave, Trupi Diplomatik i akredituar në Republikën e Shqipërisë, krerët e komuniteteve fetare si edhe personalitete të mediave dhe të shoqërisë civile.

