Artikuj

,

Lajme

,

Media

DEKORIMI I TEDI PAPAVRAMIT ME YLLIN E OFICERIT TË URDHRIT SUPREM TË SHQIPONJËS

Më 11 maj 2026, në mjediset e Kryeministrisë në Tiranë, u mbajt ceremonia e dorëzimit të dekoratës së Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës z. Tedi Papavrami. Në mbështetje të pikës 7, nenit 36 të ligjit për dekoratat në Republikën e Shqipërisë, me delegim të posaçëm datë 30 prill 2026, Presidenti i Republikës autorizoi Kryeministrin, si propozues të urdhrit, të kryesojë në emër të tij ceremoninë e dekorimit.

Ceremonia u zhvillua në praninë e një rrethi të ngushtë familjarësh, miqsh dhe artistësh, në prag të koncert-recitalit të z. Papavrami në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Tedi Papavrami lindi në Tiranë dhe u formua në Francë, ku u bë një nga violinistët më të shquar të brezit të tij në nivel ndërkombëtar. Ai është gjithashtu, përkthyes i veprës së Ismail Kadaresë në frëngjisht dhe autor i veprës Fugë për violinë, duke dhënë një kontribut të spikatur edhe në fushën e letrave.

Tedi Papavrami  u dekorua me Oficer të Urdhrit Suprem të Shqiponjës, me dekret me nr. 448, datë 5 dhjetor 2025, nga Presidenti i Republikës, me motivacionin në vlerësim të meritave të veçanta, të shquara e të qëndrueshme në fushën e artit dhe të kontributeve në rrezatimin ndërkombëtar të kulturës, letrave dhe emrit shqiptar, si një nga instrumentistët më të talentuar dhe profesionalisht më të përsosur të brezit të tij, performanca artistike e të cilit ka shenjuar sallat më prestigjioze dhe publikun artdashës në Shqipëri dhe kudo në botë, duke merituar admirimin, respektin dhe mirënjohjen e të gjithëve”.

Në fjalën e tij falënderuese, z. Papavrami u shpreh i thellësisht i prekur, duke sjellë kujtimet e tij historike me Shqipërinë dhe duke shtuar se ky moment ka për të një kuptim që “është e pamundur të ndodhë në një vend tjetër, edhe në një periudhë tjetër të jetës”.

Me rastin e këtij dekorimi, Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve i përcjell z. Papavrami urimet më të mira.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *