Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 770, datë 14 tetor 2026, “Për miratimin e rregullave të hollësishme për organizimin dhe zhvillimin e ceremonisë së dekorimeve”, marrë në zbatim të pikës 8 të nenit 36 të ligjit 93/2022 “On Decorations in the Republic of Albania”, është plotësuar kuadri normativ i ceremonialit të dorëzimit të dekoratave të nivelit kombëtar. Ky VKM, i cili përbën një rregullore të mirëfilltë të organizimit dhe të mbarëvajtjes së detajuar të ceremonive të dekorimit, synon mes të tjerash standardizimin e tyre bazuar në ligj dhe në praktikat më të mira ndërkombëtare sot për sot të njohura. Mes prurjeve të dobishme të këtij teksti për të gjitha shërbimet e ngarkuara me detyra protokollare dhe ceremoniale në institucionet publike, vlen të përmenden përcaktimi i rangjeve të të dekoruarve në Republikën e Shqipërisë, lejimet dhe ndalimet për sa i përket vendit dhe kuadrit të zhvillimit të ceremonive, kujdesi për format dhe respektimin e dinjitetit e të prestigjit të simboleve eprore që përfaqësojnë dekoratat e shtetit shqiptar, si edhe modalitetet e dorëzimit të dekoratave për shtetasit shqiptarë dhe për shtetasit e huaj, të cilët vlerësohen për merita ose për shkak të funksionit. Për nga lënda dhe aspektet e adresuara, VKM-ja që ka hyrë tashmë në fuqi, dhe që harmonizohet me rregulloret e ngjashme në shtetet më të përparuara, ka vetëm një precedent në historinë e shtetit shqiptar: Rregulloren e Urdhnave dhe Medaljeve të Mbretërisë Shqiptare të 24 nëntorit 1930. Për rrjedhojë, vendimi në fjalë paraqitet edhe si një hallkë e restauruar në zinxhirin e vazhdimësisë së shtetit shqiptar nga Pavarësia në ditët tona.
Teksti i plotë i vendimit mund të lexohet këtu, në faqën e Kancelarisë, te rubrika “Baza Ligjore”.

