Oficer i Madh i Urdhrit të Skënderbeut, me propozim të Kryeministrit, dhe me dekret nr. 442, datë 05.12.2025.
“Në vlerësim të meritave të dalluara, të fituara falë punës së pandërprerë si profesor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në forume universitare dhe akademike të nivelit ndërkombëtar në Itali dhe në vende të tjera, duke dhënë një kontribut thelbësor në zhvillimin e kërkimit shkencor në gjuhësi shqipe dhe ballkanike, si edhe në vlerësimin e thesarit gjuhësor dhe historik shqiptar, si një nga themelet e së ardhmes të dialogut ndërkulturor mbarë mesdhetar”.
Prof. Dr. Francesco Altimari, përfaqëson një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë dhe studimeve ballkanike në hapësirën akademike italiane, shqiptare dhe më gjerë në Evropë. Kontributi i tij, i shtrirë për mbi katër dekada, ka qenë vendimtar në avancimin e shkencave filologjike, në afirmimin ndërkombëtar të studimeve shqiptare dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore arbëreshe. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në promovimin e kulturës arbëreshe dhe shqiptare, duke ndihmuar jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë, por edhe në integrimin e saj në mjediset shkencore europiane. Kjo veprimtari e bën atë një mbrojtës të vyer të identitetit kombëtar jashtë Shqipërisë, duke ndikuar ndjeshëm në ruajtjen e gjuhës shqipe në diasporë. Profesor Altimari ka kontribute të shquara akademike dhe shkencore duke ushtruar që nga vitet 1980, një aktivitet të pandërprerë akademik, duke kaluar të gjitha shkallët e karrierës universitare, nga lektor i gjuhës shqipe, në kërkues i konfirmuar, profesor i asociuar, e deri në profesor i SSD L-Lin/18 (Gjuhë dhe letërsi shqipe), detyrë që e ka mbajtur deri në vitin akademik 2024–25. Puna e tij shkencore është përqendruar në studimin e dialekteve italo-shqiptare, gjuhësisë krahasuese ballkanike dhe letërsisë arbëreshe. Altimari ka redaktuar dhe kritikuar veprat klasike të autorëve të njohur arbëreshë, si Jeronim de Rada, duke siguruar që trashëgimia letrare arbëreshe të mos mbetet vetëm në kujtesën folklorike, por të trajtohet si pjesë integrale e kulturës shqiptare dhe evropiane. Ai ka publikuar monografi të rëndësishme, përfshirë “I dialetti italo-albanesi”, “Studia linguistica italo-albanica”, dhe “Urat e Arbërit”, ku ndërthur studimin gjuhësor me reflektime mbi identitetin dhe kulturën arbëreshe. Ky rrugëtim dëshmon ekspertizë të jashtëzakonshme, qëndrueshmëri profesionale dhe rol kyç në zhvillimin dhe institucionalizimin e studimeve albanologjike në Itali. Nga ana tjetër, Prof. Altimari ka ushtruar një ndikim thelbësor në formimin e brezave të rinj të studiuesve, duke u shndërruar në një udhëheqës dhe mentor në fushën e albanologjisë. Gjatë karrierës së tij të gjatë, ai ka qenë përgjegjës për një gamë të gjerë disiplinash, duke përfshirë gjuhën dhe letërsinë shqipe, dialektet shqipe të Italisë së Jugut, filologjinë shqiptare, filologjinë dhe gjuhësinë ballkanike, si dhe studimet mbi gjuhën dhe kulturën shqiptare në përgjithësi. Ndikimi i tij ka kaluar kufijtë italianë, me leksione dhe cikle mësimorë në universitete prestigjioze të Evropës, ndër të cilat në Napoli, Lece, Trieste, Milano, Mynih, Konstancë dhe Pragë. Përmes programeve Erasmus dhe veprimtarive të shumta ndërshtetërore, ai ka forcuar praninë ndërkombëtare të studimeve shqiptare dhe ka qenë një pikë referimi për studentë, kërkues dhe akademikë të rinj. Gjithashtu ai ka drejtuar dy prej strukturave më të rëndësishme të formimit të lartë në albanologji, dhe më konkretisht Doktoratën ndërkombëtare në filologji dhe gjuhësi shqipe (2002–2006), si dhe Doktoratën kërkimore në Albanologji (1992–1999). Nën drejtimin e tij, këto programe u konsoliduan si qendra ekselence, duke përfshirë universitete kryesore shqiptare, italiane dhe kosovare. Në të njëjtën kohë, si koordinator i dy Masterave të nivelit të dytë për operatorë kulturorë arbëreshë (2004, 2009), ai ka kontribuar drejtpërdrejt në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e identitetit gjuhësor e kulturor arbëresh, duke vënë në zbatim dispozitat e ligjit italian 482/1999 për mbrojtjen e pakicave gjuhësore historike. Përmes punës së tij, Prof. Altimari ka promovuar gjithashtu dialogun ndërkulturor, duke krijuar ura lidhëse midis komuniteteve arbëreshe të Italisë dhe kulturës shqiptare në Ballkan, duke u bërë një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë bashkëkohore. Reputacioni i tij shkencor dëshmohet qartë përmes një sërë vlerësimesh dhe emërimesh të rëndësishme. Ai u nderua si anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë në vitin 2006 ndërsa në vitin 2021 u emërua anëtar i jashtëm i saj. Në vitin 2008, u bë anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa nga viti 2009 deri sot shërben si president i Fondacionit Universitar “Francesco Solano”. Për më tepër, ai është pjesë e shoqatave ndërkombëtare prestigjioze albanologjike dhe ballkanologjike që nga vitet ’90, duke dëshmuar një angazhim të vazhdueshëm dhe të njohur në komunitetin shkencor ndërkombëtar. Këto anagazhime e pozicionojnë atë si një ambasador të kulturës dhe shkencës shqiptare në botë. Duke u mbështetur në karrierën e tij të gjatë, të pasur dhe të shumëanshme në mësimdhënie, kërkim shkencor, drejtim akademik, bashkëpunim ndërkombëtar dhe mbrojtje të kulturës arbëreshe, ai përfaqëson një figurë të jashtëzakonshme, e cila ka kontribuar në mënyrë të pazëvendësueshme në përparimin e albanologjisë dhe në promovimin global të kulturës shqiptare.

“Punën time didaktike dhe kërkimore në fushën e albanologjisë nuk e kam konsideruar kurrë si diçka të veçantë, por thjesht si kryerjen e një detyre.”
Faqja zyrtare e Kancelarisë është aktualisht në ndërtim dhe në proces përditësimi teknik. Kërkojmë ndjesë për çdo vështirësi që mund të hasni gjatë aksesit.
Faleminderit për mirëkuptimin!