Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik

Dekoruar me Kalorësin e Urdhrit të Lisit Akademik, në prill të 2026-s, me dekret nr. 202, datë 8.04.2026, në vlerësim të meritave në fushën e kërkimit shkencor, të hartimit e të këshillimit të politikave publike në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shqipëri, ku me përkushtim dhe profesionalizëm ka dhënë e vijon të japë edhe si titullare dhe anëtare një sërë strukturash strategjike kombëtare një kontribut të spikatur në zhvillimin e politikave të ndërthurura në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm në arsim dhe në ekonomi.

Intervistë me Prof. Dr. Shqiponje Telhaj

1. Çfarë emocionesh përjetuat në momentin e marrjes së dekoratës dhe çfarë e bën këtë vlerësim shtetëror të veçantë për ju?

Ajo ditë ishte tepër emocionuese për mua dhe familjen time. Ndjeva gëzim, krenari dhe mirënjohje që vendi im vlerësonte punën dhe kontributin tim. Ceremonia ishte vërtet mbresëlënëse. E veçanta e këtij nderimi ishte se vinte në pah jo vetëm arritjet e mia akademike, por edhe punën për t’i përkthyer studimet shkencore në politika publike me ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri.

2. Çfarë domethënie ka ky nderim në rrugëtimin tuaj personal dhe profesional?

Për mua, ky nderim bashkon dy pjesë të rëndësishme të rrugëtimit tim: karrierën akademike që kam ndërtuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe angazhimin për Shqipërinë, të cilin e kam shumë për zemër. Më jep një shtysë të re për të vazhduar, por edhe një përgjegjësi më të madhe për të kontribuar në zhvillimin e mëtejshëm të vendit tim.

3. Nëse do të kthenit vështrimin pas në rrugëtimin tuaj, cilin moment apo kontribut do të veçonit si më domethënës?

Do të veçoja punën time për përmirësimin e politikave të arsimit të lartë në Shqipëri. Prej disa vitesh, përmes studimeve të mia shkencore dhe angazhimeve të tjera, kam punuar fort për të ndihmuar në reformimin e këtij sektori kyç të vendit dhe në rritjen e cilësisë së tij. Në këtë drejtim, jam përqendruar jo vetëm tek identifikimi i sfidave, por mbi të gjitha te propozimi i politikave konkrete për reformimin e arsimit të lartë.

4. Gjatë fjalës suaj në ceremoninë e dekorimit theksuat se kërkimi shkencor merr kuptimin më të plotë kur i shërben edhe vendit të origjinës. Çfarë mesazhi do t’u përcillnit akademikëve dhe studiuesve në botë për rëndësinë e kontributit të tyre ndaj Shqipërisë?

Po, e besoj fort. Arritjet tona akademike marrin një rëndësi të veçantë kur i shërbejnë shoqërisë dhe vendit tonë. Diaspora ka një rol jetik në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë. Për mua, kjo lidhje me vendin ka edhe një histori familjare. Stërgjyshërit dhe gjyshërit e mi, edhe pse jetuan gjatë në Selanik dhe Paris, nuk reshtën së kontribuari për vendin e tyre. Edhe sot, Shqipëria ka një kapital njerëzor të jashtëzakonshëm në diasporë. Shpresoj që kolegët e mi akademikë, kudo që janë në botë, t’i kthejnë sytë nga vendlindja dhe t’i qasen asaj me dashuri e përkushtim, duke kontribuar me dijen dhe përvojën e tyre.