Oficer i Urdhrit të Skënderbeut

Dekoruar me Oficerin e Urdhrit të Skënderbeut, në dhjetor të 2025-s, me dekret nr. 454, datë 05.12.2025, në vlerësim të meritave të veçanta dhe të kontributeve të qëndrueshme në shërbim të shtetit dhe të interesit publik, të karakterizuara nga përballimi dhe zgjidhjet eficiente në situata komplekse arbitrazhesh dhe vendimmarrjesh, duke dëshmuar gjatë një veprimtarie shërbimi mbi 20-vjeçare aftësi dhe vizion strategjik në menaxhimin financiar publik.

Intervistë me Znj. Mimoza Dhëmbi (Selmani)

1. Ky dekorim vjen si njohje për kontributin tuaj të qëndrueshëm në shërbim të shtetit dhe të interesit publik. Cili do të ishte mesazhi juaj për publikun dhe për komunitetin e administratës publike e të financave me rastin e këtij dekorimi?

Jam shumë e lumtur që ky dekorim, edhe pse mban emrin tim, në fakt përfaqëson punën dhe përkushtimin e shumë kolegëve të administratës publike me të cilët kam ndarë një pjesë të madhe të jetës sime profesionale. Kam pasur fatin të punoj me njerëz të jashtëzakonshëm, profesionistë të zotë dhe mbi të gjitha me integritet, që kanë zgjedhur t’i shërbejnë vendit me dinjitet dhe përkushtim. Shumë prej tyre do ta meritonin po aq sa unë këtë vlerësim. Nëse do të përcillja një mesazh, ai do të ishte ky: mos e matni suksesin vetëm me përfitimin personal. Punoni me ndershmëri, durim dhe pasion për atë që bëni. Ndonjëherë shpërblimi nuk vjen menjëherë, por kur vjen, ka një vlerë që nuk matet me asgjë tjetër. Për mua, ky dekorim është pikërisht një shpërblim i tillë. Gjatë këtyre viteve kam parë breza të tërë kolegësh të hyjnë në Drejtori, të rriten profesionalisht, të krijojnë familjet e tyre dhe të ndërtojnë karrierën e tyre. Disa kanë dalë në pension si pjesë e familjes sonë profesionale, të tjerë kanë vazhduar rrugën diku tjetër. Të gjithë kanë lënë gjurmë. Kjo është ndoshta krenaria ime më e madhe: që përveç punës sonë të përditshme, kemi arritur të transmetojmë te të rinjtë dashurinë për profesionin, respektin për kolegun dhe ndjenjën e përgjegjësisë ndaj interesit publik.

2. Si e kujtoni momentin e marrjes së këtij dekorimi dhe çfarë ndjenjash ju përshkuan gjatë ceremonisë?

Pa asnjë dyshim, ishte momenti më emocionues i jetës sime.
Kam qenë gjithmonë një njeri që kam preferuar të punoj në heshtje. Nuk kam kërkuar asnjëherë të jem në qendër të vëmendjes. Prandaj, kur pashë veten mes personaliteteve që po dekoroheshin atë ditë, pyetja e parë që më erdhi në mendje ishte: “A e meritoj vërtet të jem këtu?”
Ndërsa prisja radhën, fillova të bëj një bilanc të gjithë jetës sime profesionale. Mendova për vitet e punës, për sfidat, për sakrificat, për vendimet e vështira dhe për njerëzit me të cilët kam punuar. Në ato çaste kuptova edhe më qartë sa shumë e dua këtë vend dhe sa e rëndësishme ka qenë për mua ndjesia se po jap, qoftë edhe modestisht, kontributin tim për të.
Kur u ngjita në foltore isha shumë e emocionuar. Kisha menduar të thosha disa gjëra, por në fund fola me zemër. Dhe mendoj se ishte zgjedhja e duhur. Por ndoshta emocionet më të mëdha erdhën më pas. Mesazhet, telefonatat, urimet nga kolegë, miq, njerëz që nuk i kisha dëgjuar prej vitesh. Ishte një valë dashamirësie që më preku thellë dhe që do ta mbaj mend gjatë.

3. Cilën e konsideroni arritjen ose momentin më domethënës të këtij rrugëtimi dhe çfarë ka qenë burimi i forcës suaj gjatë viteve?

Puna në Drejtorinë e Buxhetit është një shkollë më vete. Çdo ditë përballesh me sfida, përgjegjësi dhe vendime që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve. Nuk mendoj se mund të veçoj vetëm një arritje, sepse kënaqësia më e madhe ka qenë gjithmonë kur kam parë që një politikë apo një program i përkthyer në shifra ka sjellë përfitime reale për qytetarët. Sigurisht, ka pasur edhe periudha shumë të vështira. Viti 1997, pasojat e tërmetit të vitit 2019, pandemia e COVID-19. Në ato momente ndjen peshën e përgjegjësisë më shumë se kurrë. Kur vendi përballet me sfida, ti nuk punon më vetëm me shifra; punon me jetët dhe shpresat e njerëzve. Burimi im më i madh i forcës ka qenë stafi i Drejtorisë. Kemi kaluar së bashku momente të vështira dhe momente suksesi. Kemi punuar me orë të gjata, kemi ndarë shqetësime dhe përgjegjësi, por kemi ndarë edhe krenarinë për rezultatet. Po aq e rëndësishme ka qenë familja ime. Shpesh them me shaka se vajza ime është rritur mes diskutimeve për buxhetin e shtetit. Bashkëshorti im ka qenë mbështetja ime më e madhe, duke treguar gjithmonë mirëkuptim për kohën dhe energjinë që puna kërkonte prej meje. Në fakt, kjo dekoratë i përket edhe atyre.

4. Si e shihni rëndësinë e administratës publike dhe çfarë do t’u thoshit atyre që po nisin sot rrugëtimin e tyre në shërbim të shtetit?

Unë besoj se për të punuar në administratën publike duhet të kesh edhe pak idealizëm. Duhet të besosh se puna jote ka vlerë dhe se mund të bëjë ndryshim.
Pas më shumë se tre dekadash në këtë shërbim, mund të them se përfitimi më i madh nuk është ai material. Përfitimi më i madh është respekti që fiton me punë, emri që lë pas dhe ndërgjegjja e qetë që ke bërë më të mirën për vendin tënd.
Të rinjve do t’u thosha të mos e shohin administratën publike si një stacion të përkohshëm. Ta shohin si një mundësi për t'u rritur profesionalisht dhe për të dhënë kontribut. Investoni te vetja, mësoni çdo ditë dhe mos e humbni kurrë ndjenjën e përgjegjësisë ndaj qytetarëve që ju shërbeni. Në fund të fundit, reputacioni dhe dinjiteti profesional janë pasuria më e madhe që mund të ndërtojë një njeri gjatë jetës së tij.