Komandar i Urdhrit të Lisit Akademik
Dekoruar me Komandarin e Urdhrit të Lisit Akademik, në dhjetor të 2025-s, me dekret nr. 451, datë 05.12.2025, në vlerësim të kontributeve të spikatura e të qëndrueshme në fushën e mësimdhënies dhe formimit akademik, si edhe për merita në modernizimin e Bibliotekës Kombëtare, ku ka punuar me përkushtim dhe me rezultate të lavdërueshme, duke u dalluar për lëvrimin e disiplinës së bibliotekonomisë, për përmirësimin e kushteve të shërbimit të publikut dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Mesazhi im për komunitetin e bibliotekarëve, akademikëve dhe për publikun e gjerë është që të vijojmë ta vlerësojmë bibliotekën si një institucion themelor të dijes, të kërkimit shkencor dhe të kujtesës historike dhe kulturore të shoqërisë dhe qytetërimit, ndërsa mësimdhënien si një mision fisnik në formimin intelektual dhe kulturor të brezave.
Në një kohë kur informacioni shtohet dita-ditës dhe teknologjia përparon me ritme të shpejta, bibliotekat marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe në orientimin drejt burimeve të besueshme të informacionit, në ruajtjen dhe pasurimin e trashëgiminë sonë kulturore, në mundësimin e qasjes së lirë dhe të barabartë për këdo dhe kudo, si dhe në përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e ardhshëm.
Përmbushja e këtij misioni kërkon përkushtim të vijueshëm nga të gjithë. Jam e bindur se përkushtimi ndaj librit, dijes, bibliotekës dhe arsimit është një kontribut i çmuar në ruajtjen e kujtesës sonë kombëtare, në zhvillimin kulturor të shoqërisë dhe në ndërtimin e së ardhmes së brezave që vijnë.
Ishte një moment i veçantë dhe emocionues, që do të mbetet përherë i gjallë në kujtesën time. U ndjeva thellësisht e prekur dhe e nderuar që puna ime e heshtur, pa bujë, mes librave, auditorëve dhe kërkimit shkencor, u vlerësua në nivelet më të larta të shtetit shqiptar.
Çastin solemn të dorëzimit të dekoratës e kujtoj sikur të ishte dje, me çdo detaj të ngulitur në kujtesë: sallën plot hijeshi, duartrokitjet, urimet e përzemërta dhe gëzimin e ndarë me familjarë dhe miq.
Ky dekorim mbetet për mua një burim krenarie dhe mirënjohjeje të thellë, si dhe një nga kujtimet më të çmuara të jetës sime.
Çdo etapë e rrugëtimit tim profesional, akademik dhe drejtues është karakterizuar nga përkushtimi për t'i shërbyer librit, bibliotekës dhe kulturës shqiptare, pa e ndarë kurrë bibliotekën nga jeta ime vetjake.
Ndër momentet më domethënëse të këtij rrugëtimi veçoj bashkëpunimin e frytshëm dhe të vazhdueshëm me kolegët kosovarë në fushën e bibliotekonomisë dhe të albanologjisë, përmes botimeve të përbashkëta, trajnimeve, organizimit të konferencave, ekspozitave dhe veprimtarive të tjera kulturore e shkencore, bashkëpunim që zë fill në vitin 1999, me pjesëmarrjen time në Panairin e Parë të Librit në Prishtinën e pasluftës, kur shkela për herë të parë tokën kosovare dhe nisi një lidhje e veçantë me Kosovën, lidhje që nuk rreshti dhe nuk do të rreshtë kurrë.
Këtë njohje dëshiroj t’ia dedikoj familjes sime, që më ka mbështetur në çdo hap të këtij rrugëtimi, si dhe kolegëve e bashkëpunëtorëve, me të cilët kam ndarë ndër vite sfidat, përpjekjet dhe arritjet e përbashkëta.
Bibliotekat janë dhe do të mbeten institucione themelore të dijes dhe të kujtesës kulturore, ruajtëse të trashëgimisë sonë dhe vatra të rrezatimit të kulturës librore. Në një kohë transformimesh të vrullshme teknologjike, sfida e tyre është të ndërthurin kulturën tradicionale librore me mundësitë e reja të botës digjitale, duke e bërë dijen gjithnjë e më të qasshme. Kultura e leximit mbetet thelbësore për formimin intelektual e kulturor të brezave dhe për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
Të rinjve do t’u sugjeroja të mos e ndajnë nga dora LIBRIN, simbol të qytetërimit, kulturës dhe dijes, dhe të ruajnë gjithmonë dëshirën për të mësuar e për të lexuar. Ata që zgjedhin këtë fushë duhet ta ushtrojnë profesionin me dashuri dhe përkushtim, duke besuar në vlerën e pazëvendësueshme të bibliotekës dhe të librit, sepse, siç na kujton Borgesi, “Biblioteka do të jetojë ngahera”.
Faqja zyrtare e Kancelarisë është aktualisht në ndërtim dhe në proces përditësimi teknik. Kërkojmë ndjesë për çdo vështirësi që mund të hasni gjatë aksesit.
Faleminderit për mirëkuptimin!