Komandar i Urdhrit të Lisit Akademik

Dekoruar me Komandarin e Urdhrit të Lisit Akademik, në dhjetor të 2025-s, me dekret nr. 452, datë 05.12.2025, në vlerësim të kontributit të saj shumë të spikatur si matematiciene e afirmuar brenda dhe jashtë vendit, me një veprimtari kërkimore shkencore, universitare dhe akademike të kurorëzuar nga vlerësime ndërkombëtare dhe përkatësi në katedra autoritative shkencore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetkë, pa lënë mënjanë angazhimin e lavdërueshëm në organizimin e shkollës verore për metodat matematike dhe analizën e të dhënave në Shqipëri, duke dëshmuar me profesionalizëm dhe vizion rëndësinë jetike të diasporës në përcjelljen e dijeve dhe përvojave më të mira në vendin amë.

Intervistë me Prof. Dr. Fioralba Cakoni

1. Dekorimi me "Komandar të Urdhrit të Lisit Akademik" erdhi si njohje për kontributin tuaj të spikatur si matematiciene e afirmuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe për angazhimin tuaj në përcjelljen e dijes dhe të përvojës botërore në Shqipëri. Cili do të ishte mesazhi juaj për publikun dhe për komunitetin e matematikanëve e të akademikëve shqiptarë me rastin e këtij dekorimi?

Dekorata “Komandar i Urdhrit të Lisit Akademik”, e krijuar me rastin e 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, ishte një nder i jashtëzakonshëm për mua, për të cilin jam thellësisht mirënjohëse. Ajo më dha privilegjin të isha përkrah disa personaliteteve më të shquara të kombit. Ky vlerësim ishte edhe më domethënës për mua, pasi matematika si profesion u përfaqësua mes elitës intelektuale shqiptare, në këtë platform të lartë kombëtare. Matematika është gjuha e shkencës dhe e teknologjisë, themeli i mendimit analitik dhe një forcë e rëndësishme për zhvillimin e shoqërisë. Është përgjegjësi e komunitetit matematik shqiptar, e akademikëve në vend dhe e diasporës shkencore, ta çojnë përpara këtë traditë dhe të bëjnë që arsimi dhe kërkimi shkencor në matematikë të ecin në një hap me zhvillimet më të përparuara ndërkombëtare.

2. Në fjalimin tuaj gjatë ceremonisë së dekorimit, theksuat se rrënjët e karrierës suaj janë në Departamentin e Matematikës të Universitetit të Tiranës, dhe se ky vlerësim nga vendi juaj ju përcjell një ndjenjë shumë të veçantë. Si e kujtoni momentin e marrjes së këtij dekorimi dhe çfarë ndjenjash ju përshkuan gjatë ceremonisë?

Gjatë karrierës sime kam pasur fatin të vlerësohem nga institucione shkencore dhe universitete në mbarë botën për kontributet e mia në matematikë. Por vlerësimi nga vendi im më ngjalli një emocion të veçantë, që nuk e kisha përjetuar më parë. Krenaria, shpresa dhe ndjenja e përmbushjes ishin disa nga emocionet që përjetova gjatë ceremonisë. Në një kuptim figurativ, me këtë vlerësim u mbyll një rreth, sepse në Universitetin e Tiranës, pra ne Shqipëri, hodha themelet e formimit tim matematikor dhe fitova vetëbesimin për t’u përballur si e barabartë me komunitetin ndërkombëtar të matematikës. Këtë e kam shprehur gjithmonë me krenari, kudo në botë. Ky dekorim është një dëshmi e kësaj lidhjeje dhe një nderim që u përket edhe mësuesve të mi, si dhe qindra shqiptarëve që kanë ndërtuar karriera të suksesshme në matematikë.

3. Dekorimi në shkallën "Komandar" erdhi si një rrugëtim që nuk ka ndaluar: pas dhjetorit 2025, kontributi juaj ka vazhduar me përzgjedhjen dinjitoze si Sonia Kovalevsky Lecturer 2026 dhe me emërimin Kryeredaktore e Bordit Editorial të revistës Inverse Problems, ndërsa përmes Institutit Kombëtar Virtual të Matematikës dhe mentorimit të studiuesve të rinj ai shtrihet edhe përtej shkencës, në ndërtimin e urave mes diasporës dhe Shqipërisë. Sa e shihni këtë shkallë dekorimi si një shtysë për të dhënë më shumë, drejt njohjeve dhe kontributeve edhe më të larta në shërbim të shkencës dhe të vendit?

Jam e privilegjuar që punoj dhe vlerësohem për atë që është pasioni im dhe pjesë e identitetit tim. Forca që më shtyn përpara si matematikane buron nga brenda meje. Por çdo vlerësim e shoh si një mundësi për t’i shërbyer më shumë komunitetit ndërkombëtar të matematikës. Çmimi AWM-SIAM Sonia Kovalevsky Lecture, që mban emrin e gruas së parë që u bë profesore universiteti në matematikë, është edhe një burim frymëzimi për vajzat që duan të ndjekin këtë rrugë. Drejtimi i revistës Inverse Problems, një nga revistat kryesore në fushën time, më jep mundësinë të kontriboj dhe influencoj komunitetit tim shkencor, të cilit i detyrohem shumë për formimin tim. Ndërsa drejtimi i Institutit të Matematikës pranë Akademisë dhe ky dekorim më japin një platform për të mbështetur zhvillimin e matematikës në Shqipëri dhe për të forcuar praninë e saj në arenën ndërkombëtare.

4. Gjatë fjalës tuaj, ju cituat Ajnshtajnin dhe e përshkruat matematikën si "poezinë e ideve logjike" dhe theksuat rolin e saj themelor në zhvillimin teknologjik dhe në inteligjencën artificiale. Si e shihni rëndësinë e matematikës dhe të lidhjes mes diasporës dhe vendit amë për të ardhmen e shkencës në Shqipëri, dhe çfarë do t'u transmetonit të rinjve shqiptarë që po nisin sot rrugëtimin në këtë fushë?

Ajnshtajni, në një homazh kushtuar matematikanes Emmy Noether, shkruan: “Matematika e teorike është, në mënyrën e vet, poezia e ideve logjike”, një thënie që ka frymëzuar shprehjen “Matematika e aplikuar është poezia e ideve abstrakte që marrin jetë në botën reale”. Të dyja këto shprehje pasqyrojnë lidhjen e ngushtë mes matematikës teorike dhe asaj të aplikuar. Në epokën e inteligjencës artificiale, logjika dhe mendimi analitik janë çelësi i së ardhmes së njerëzimit. Prandaj, mbështetja e arsimit matematik në të gjitha nivelet është një domosdoshmëri kombëtare. Institucionet shtetërore kanë një rol thelbësor në mbështetjen e matematikës si një veprimtari intelektuale me rëndësi strategjike afatgjatë për vendin, përtej nevojave të çastit dhe konsideratave thjesht pragmatike. Të rinjve shqiptarë u them: nëse e doni matematikën, ndiqni pa hezitim ëndrrat dhe pasionin tuaj dhe zbuloni bukurinë e saj. Ne, si komunitet matematik, së bashku me institucionet shtetërore, kemi detyrën fisnike t’u krijojmë mundësi për një arsimim matematikor të nivelit ndërkombëtar në Shqipëri, në mënyrë që të rinjtë të mund të studiojnë, të punojnë dhe të ndihen të përmbushur në vendin e tyre.