Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës
Dekoruar me Kalorësin e Urdhrit Suprem të Shqiponjës, në prill të 2026-s, me dekret nr. 198, datë 8.04.2026, në vlerësim të meritave të veçanta të fituara në lëvrimin mbreslënës të shkencave mjekësore dhe praktikave më bashkëkohore në neurokirurgji, në shërbim të shumë komuniteteve, si edhe për kontributet e çmuara shumëvjeçare në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të diasporës shqiptare, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mesazhi im për të gjithë është që, në këto kohë kur shoqëria po zhvillohet me ritme të shpejta, duhet të forcohet besimi te dija, puna dhe integriteti, si në mjekësi, ashtu edhe në çdo fushë tjetër. Komuniteti mjekësor ka përgjegjësinë t’u shërbejë jetëve njerëzore me profesionalizëm, integritet dhe humanizëm. Diaspora shqiptare përbën një forcë të rëndësishme, duke krijuar ura bashkëpunimi në interes të kombit shqiptar.
Ishte një moment krenarie, emocioni dhe mirënjohjeje. Ky vlerësim i lartë më rikujtoi se atdheu nuk matet me largësinë, por me lidhjen që ruajmë me të dhe kontributin që japim. Kuptova se, edhe larg atdheut, ai mbetet jo vetëm pjesë e zemrës dhe e kujtesës sonë, por edhe pjesë e rëndësishme e identitetit tonë. Më bëri të kuptoj se Shqipërinë nuk e lamë pas kur u larguam, por e mbartim brenda vetes, kudo që jemi.
Arritja më domethënëse për mua është që kam vënë njohuritë dhe përvojën time në shërbim të pacientëve, pa humbur në asnjë mënyrë identitetin dhe lidhjen me Shqipërinë dhe komunitetin shqiptar. Këtë vlerësim ia dedikoj familjes sime, të gjithë atyre që kanë kontribuar në formimin tim, si dhe çdo pacienti që më ka besuar jetën e tij. Suksesi i vërtetë matet me jetët që prek dhe gjurmën që lë pas.
Diaspora duhet të jetë një forcë konkrete zhvillimi për Shqipërinë, përmes dijes, investimeve dhe kontributit në shërbim të interesave kombëtare. Të rinjve shqiptarë u them të mos u vendosin kufij ëndrrave të tyre. Kudo që t’i çojë rrugëtimi i tyre, të mos e harrojnë identitetin dhe rrënjët e veta. Suksesi juaj merr një kuptim edhe më domethënës kur shndërrohet në sukses edhe për Shqipërinë.
Faqja zyrtare e Kancelarisë është aktualisht në ndërtim dhe në proces përditësimi teknik. Kërkojmë ndjesë për çdo vështirësi që mund të hasni gjatë aksesit.
Faleminderit për mirëkuptimin!