Oficer i Madh i Urdhrit të Skënderbeut, me propozim të Kryeministrit, dhe me dekret nr. 443, datë 05.12.2025.
“Në vlerësim të kontributeve të panumërta e shumë të çmuara në përparimin e studimeve ndërdisiplinore në fushën e albanologjisë, me një veprimtari të pareshtur hulumtuese dhe publicistike të nivelit më të lartë akademik, si edhe për aktivizimin e një jete në mbajtjen gjallë të katedrave të gjuhës shqipe në Itali, në mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë, të së tashmes dhe të së ardhmes të komuniteteve arbëreshe dhe të thesarit mbarëkombëtar të Motit të Madh”.
Prof. Matteo Mandalà është një nga figurat më të rëndësishme të albanologjisë bashkëkohore, me ndikim të veçantë në studimet e gjuhës, letërsisë dhe kulturës arbëreshe. Ai ka një formim të lartë akademik, i diplomuar “summa cum laude” në Histori dhe Filozofi nga Universiteti i Palermos, një bazë e fortë teorike dhe praktike që i ka mundësuar të zhvillojë një karrierë të shquar dhe kontribute të jashtëzakonshme në fushën e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Konsiderohet një nga figurat që kanë themeluar filologjinë bashkëkohore arbëreshe duke kontribuar në ruajtjen, studimin dhe promovimin e identitetit, gjuhës dhe kulturës arbëreshe. Që nga viti 1987 ka qenë lektor dhe më pas profesor në fakultete të njohura italiane, duke përfshirë Universitetin e Palermos, Universitetin e Pizës, Universitetin e Kalabrisë, Universitetin e Barit, Universitetin e Leçes dhe Universitetin e Mesinës. Gjatë karrierës së tij ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e programeve mësimore dhe akademike, në formimin e brezave të rinj studentësh dhe studiuesish, si dhe në përhapjen e njohurive për gjuhën dhe kulturën shqiptare jashtë vendit. Përveç mësimdhënies, ka arritur gradat më të larta universitare, duke dëshmuar profesionalizëm të lartë, përkushtim dhe ndikim të qëndrueshëm në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Veprimtaria e tij shkencore dhe editoriale është po ashtu e shquar. Që nga viti 1996 drejton kolanën “Albanica”, ka qenë anëtar i Shoqatës Glotologjike të Milanos dhe i komiteteve të redaktimit të revistave shkencore si “Hylli i Dritës” dhe “Shêjzat – Le Pleiadi”. Në vitin 2012 u bë bashkëthemelues dhe drejtor përgjegjës i revistës italiane të albanologjisë “Res Albanicae” dhe drejton kolanën “Biblioteka e klasikëve arbëreshë”, duke siguruar ruajtjen dhe promovimin e veprave të autorëve klasikë të letërsisë arbëreshe. Ai është gjithashtu pjesë e komitetit të redaktimit të revistës “Studi sull’Oriente Cristiano”, duke kontribuar në mënyrë të vazhdueshme në përhapjen e kërkimeve dhe njohurive shkencore. Ka botuar shumë studime, artikuj shkencorë dhe monografi themelore për letërsinë arbëreshe. Ka udhëhequr projekte të rëndësishme europiane e rajonale për dialogun ndërkulturor, si “Skanderbeg 2000”, “Kastriota 3000”, “Brinjat”, “Vatra”. Aktiviteti i tij akademik, pedagogjik dhe editorial, si dhe ndikimi i qëndrueshëm në zhvillimin e gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare reflektojnë merita të larta civile, përkushtim të jashtëzakonshëm dhe shërbim të dalluar në dobi të kombit dhe interesit publik.

“Këtë dekoratë ia kushtoj arbëreshëve kudo që janë, përfshirë këtu edhe pararendësit tanë, ata që e kanë bërë të madhe historinë, kulturën, identitetin e gjuhën tonë.”
Faqja zyrtare e Kancelarisë është aktualisht në ndërtim dhe në proces përditësimi teknik. Kërkojmë ndjesë për çdo vështirësi që mund të hasni gjatë aksesit.
Faleminderit për mirëkuptimin!