Oficer i Madh i Urdhrit të Skënderbeut dhe me propozim të Kryeministrit, me dekret nr. 441, datë 05.12.2025.
“Në vlerësim të kontributeve themelore në historishkrimin e periudhave më sfiduese të ndërtimit të identitetit arbëror-shqiptar, si një nga penat më autoritative dhe më të konsideruara në forumet kombëtare dhe ndërkombëtare shkencore në fushën e albanologjisë, si edhe për meritat e fituara prej dekadash në shërbim të shtetit, të debatit shoqëror dhe të interesit publik”.
Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, ka mbi 40 vjet karrierë profesionale në fushën akademike dhe kërkimore, me një ndikim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm në fushat e historiografisë, kërkimit shkencor, zhvillimin e studimeve albanologjike dhe bizantologjike, si dhe në pasurimin e trashëgimisë kulturore dhe shkencore kombëtare. Ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm dhe të vazhdueshëm për pasurimin dhe zhvillimin e historiografisë shqiptare përmes autorësisë së mbi 50 studimeve dhe monografive shkencore, ndër të cilat spikasin veprat “Dilemat e Arbërit”, “Nga Paleologët te Muzakajt”, “Ikje nga Bizanti”, “Shekulli i Voskopojës”, “Arbërit e Jonit” dhe “Skënderbeu”, dëshmi të përkushtimit të tij për të ndriçuar rolin e shqiptarëve në hapësirën bizantine dhe mesjetare dhe të identitetit arbëror-shqiptar. Që prej vitit 1981, Prof. Dr. Xhufi u bë pjesë e Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku ka kaluar të gjitha shkallët e karrierës shkencore — nga kërkues i ri deri në titullin profesor. Për gati dy dekada ka dhënë lëndët “Histori e Bizantit” dhe “Histori e Italisë dhe e qytetërimit italian” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë. Për kontributet e tij të shquara në shkencë dhe kulturë, Prof. Dr. Pëllumb Xhufi është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka fituar çmimin prestigjioz "Eqerem Çabej" të Akademisë së Shkencave për monografinë “Arbrit e Jonit: Vlora, Delvina e Janina shek. XV-XVII” (2017). Ai është vlerësuar dhe me çmimin “Kult” për monografinë “Shekulli i Voskopojës” (2011). Veprimtaria e tij nuk është kufizuar vetëm në fushën akademike. Në fund të viteve ’90, z. Xhufi u angazhua në shërbimin diplomatik, ku shërbeu si drejtor për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme, e më pas si zëvendësministër dhe ambasador i Republikës së Shqipërisë në Itali. Për disa vite, ai ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Pas vitit 2009 u rikthye në Institutin e Historisë në pozicionin e Shefit të Departamentit të Mesjetës e Rilindjes. Prof. Dr. Pëllumb Xhufi është një figurë e spikatur në shkencën historike shqiptare, por edhe një zë aktiv në jetën publike, duke ngritur e diskutuar çështje që lidhen me kujtesën historike dhe dinjitetin kombëtar. Përmes kërkimit shkencor, diplomacisë dhe angazhimit publik, ka afirmuar historinë dhe kulturën shqiptare në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu roli i tij akademik dhe redaktorial ka ndihmuar në formimin dhe zhvillimin e studimeve albanologjike dhe bizantologjike, duke pasuruar trashëgiminë kulturore dhe atë shkencore kombëtare.

“Skënderbeu është drita që na hap rrugët dhe na ndriçon mendimin edhe veprimin, kudo ku jemi e kushdo që jemi.”
Faqja zyrtare e Kancelarisë është aktualisht në ndërtim dhe në proces përditësimi teknik. Kërkojmë ndjesë për çdo vështirësi që mund të hasni gjatë aksesit.
Faleminderit për mirëkuptimin!