Komandar i Urdhrit të Skënderbeut

Dekoruar me Komandarin e Urdhrit të Skënderbeut, në dhjetor të 2025-s, me dekret nr. 449, datë 05.12.2025, Në vlerësim të kontributeve themelore dhe meritave të qëndrueshme në dokumentimin dhe lëvrimin e disiplinës së numizmatikës, në suazën më të gjerë të hulumtimeve arkeologjike, në të cilën ajo është shquar si një nga specialistet e rralla në vendin tonë, duke u renditur, falë një pune të admirueshme dhe jashtë çdo protagonizmi, mes studiuesve më autoritativë në rrafsh ndërkombëtar, të trashëgimisë historike dhe arkeologjike të vendit tonë.

Intervistë me Prof. Dr. Shpresa Gjongecaj-Vangjeli

1. Ky dekorim vjen si njohje për kontributin tuaj themelor dhe të qëndrueshëm në dokumentimin e numizmatikës, në kuadër të hulumtimeve arkeologjike. Cili do të ishte mesazhi juaj për publikun dhe për komunitetin e arkeologëve e të studiuesve të trashëgimisë me rastin e këtij dekorimi?

Publikut do t’i thosha: trashëgimia jonë nuk është diçka e largët, e mbyllur në muze. Është kujtesa jonë e përbashkët dhe na takon të gjithëve ta ruajmë. Ndërsa studiuesve të rinj: të jeni të durueshëm, të saktë dhe të hapur ndaj botës. Mos harroni se puna jonë ka kuptim vetëm kur e ndajmë me të tjerët.

2. Në fjalimin tuaj theksuat se vlerësimi ju jepet në ditën jubilare të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut, dhe se ai i bëhet punës suaj kërkimore-shkencore gati 50-vjeçare. Si e kujtoni momentin e marrjes së këtij dekorimi dhe çfarë ndjenjash ju përshkuan gjatë ceremonisë?

Gjatë ceremonisë mendova kryesisht për rrugën e bërë, gati 50 vjet punë, shumica e tyre larg vëmendjes, me studime e gërmime arkeologjike. Ndjeva kënaqësi që kjo punë e heshtur u vu re një ditë dhe u vlerësua, madje në një ditë të shënuar.

3. Ju thatë se puna e bërë me ndershmëri dhe përulësi është ajo që ruhet gjithmonë. Rrugëtimi juaj ka përfshirë studimin e thesareve e të monedhave ilire dhe romake, bashkëpunime me institucione ndërkombëtare dhe publikime në revista të njohura shkencore. Cilën e konsideroni arritjen ose momentin më domethënës të këtij rrugëtimi?

Botimi në frëngjisht i studimit tim mbi “Trésors de monnaies antiques trouvées en Albanie (Ve–Ier siècle av. J.-C.)” për mua nuk ishte thjesht një sukses personal, por një dëshmi se pasuria numizmatike e vendit tim dhe arritjet në këtë fushë u bënë të njohura në nivel ndërkombëtar.

4. Në fjalimin tuaj e dedikuat këtë njohje për familjen dhe shprehët dëshirën që nipërit tuaj ta vazhdojnë rrugën e nisur nga gjyshërit. Çfarë do t’u thoshit të rinjve që po nisin sot rrugëtimin në arkeologji dhe numizmatikë, dhe çfarë vlerash do të dëshironit që ata t’i ruanin?

Familja ka qenë gjithmonë pranë meje, ndaj ishte e natyrshme që këtë njohje t’ua dedikoja atyre së pari. Dhe po, do të më gëzonte shumë që nipërit të ndjenin dashuri për vendin dhe trashëgiminë tonë historike. Të rinjve që nisin sot rrugën e shkencës do t’u thoja se kjo është një punë që kërkon kohë, vullnet dhe dashuri; rezultati nuk vjen shpejt.