KUADRI LIGJOR DHE INSTITUCIONAL

Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve është një institucion shtetëror publik, i financuar nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera të ligjshme, i cili organizohet dhe funksionon në përputhje me ligjin nr. 93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, si dhe me Rregulloren e miratuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 819, datë 26.12.2024,“Për miratimin e rregullores së kancelarisë së urdhrave dhe medaljeve”, të ndryshuar dhe legjislacionin në fuqi.

Ligji nr. 93/2022, i cili hyri në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare nr. 46, datë 13.03.2024, shënon një reformë thelbësore në rikonceptimin dhe riorganizimin e sistemit të nderimeve publike në Republikën e Shqipërisë. Ky ligj vendosi bazat për një arkitekturë të re, të qartë dhe koherente faleristike, për të rikthyer dinjitetin, funksionalitetin dhe vlerën simbolike të dekoratave shtetërore si instrumente të vlerësimit institucional, të kujtesës kombëtare dhe të përfaqësimit të meritës publike. Në zbatim të tij, me vendimin e sipërpërmendur, Këshilli i Ministrave miratoi Rregulloren e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve, e cila përcakton organizimin, kompetencat dhe funksionimin e këtij institucioni si autoritet publik mbikëqyrës dhe rregullator në fushën e nderimeve shtetërore.

Në qendër të sistemit të ri të krijuar nga ligji nr. 93/2022 qëndron Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila, përtej funksioneve administrative, ushtron edhe një rol të rëndësishëm kulturor dhe simbolik. Ajo është kujdestare e regjistrave, arkivave dhe kujtesës institucionale të dekoratave shtetërore, si dhe e historive personale të individëve të nderuar, duke përfaqësuar në këtë mënyrë një arkiv të virtytit dhe meritës së njohur publikisht.

Një nga risitë më të rëndësishme të ligjit është ndërtimi i sistemit të nderimeve rreth tre urdhrave kombëtarë, të kryesuar nga Presidenti i Republikës: Urdhri Suprem i Shqiponjës, Urdhri i Skënderbeut dhe Urdhri i Lisit Akademik. Këta urdhra, të plotësuar nga medalje të përcaktuara qartë, përbëjnë sot boshtin e sistemit modern të dekoratave shtetërore shqiptare, të udhëhequr nga parimet e përgjithshme të nenit 3, të ligjit nr. 93/2022, përfshirë meritën, kontributin e qëndrueshëm dhe shërbimin afatgjatë ndaj shoqërisë, pavarësisht sektorit të veprimtarisë.

Kancelaria organizohet në nivel qendror dhe ushtron veprimtarinë e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, me të njëjtin nivel organizimi si drejtoritë e përgjithshme. Në përputhje me nenin 26 të ligjit nr. 93/2022, organet drejtuese të saj janë Kancelari dhe Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve.

Kolegji i Urdhrave dhe Medaljeve është një organ kolegjial i përbërë nga nëntë anëtarë, të cilët përfaqësojnë institucione dhe autoritete të ndryshme shtetërore dhe akademike, si dhe ekspertizë të specializuar në fushën e dekorimeve. Ai funksionon si organ kolegjial këshillimor dhe vendimmarrës në kuadër të sistemit të ri të dekoratave. Në përbërjen e tij bën pjesë Kancelari, i cili ushtron edhe funksionin e Kryetarit të Kolegjit, si dhe një përfaqësues i emëruar nga Presidenti i Republikës, i cili mban detyrën e Zëvendëskryetarit. Gjithashtu, anëtarë të Kolegjit janë Drejtuesi i Protokollit të Shtetit, një përfaqësues i emëruar nga Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si dhe dy ekspertë të fushës së dekorimeve, të emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave. Përbërja e Kolegjit plotësohet edhe nga tre Dekanët e Urdhrave, të cilët janë shtetasit shqiptarë më të vjetër në moshë që janë nderuar me dekoratën “Ylli i Madh” në secilin prej urdhrave kombëtarë të sipërpërmendur.

Anëtarët e emëruar nga Presidenti i Republikës, Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave ushtrojnë mandatin e tyre për një periudhë katërvjeçare, me të drejtë riemërimi.

Kancelari përfaqëson Kancelarinë në marrëdhënie me të tretët dhe raporton për veprimtarinë e Kancelarisë para Presidentit të Republikës dhe Kryeministrit. Kancelari emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra nga Kryeministri. Në ushtrimin e veprimtarisë administrative, Kancelari mbështetet nga një zëvendëskancelar, i cili emërohet, lirohet ose shkarkohet nga detyra nga Kancelari në përputhje me pikën 7, të nenit 5, të VKM nr. 819/2024.

Me urdhrin nr. 31, datë 18.2.2025 të Kryeministrit u emërua Kancelari i Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve. Në zbatim të pikës 2, të nenit 12, të Rregullores nr. 819/2024, deri në plotësimin e strukturës dhe organikës Kancelari është asistuar nga stafi i Kryeministrisë.

BAZA LIGJORE: