Kancelar i Urdhrave dhe Medaljeve
Kryetar i Task-Forcës Kombëtare për Organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, 2027
TOMI (THOMAS) FRASHËRI
Kancelar i Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës së Shqipërisë
Kryetar i Task-Forcës Kombëtare për Organizimin e Samitit të NATO-s në Tiranë, 2027
Lindur në Tiranë më 19 janar 1983, i martuar dhe baba i dy fëmijëve, Tomi Frashëri ka përfunduar studimet në të Drejtë Publike në Universitetin Paris II Panthéon-Assas dhe është renditur Major i programit Master “René Cassin” të Shkollës Doktorale Georges Vedel në vitin 2007. Ai ka shërbyer si chargé de mission pranë Mediatorit të Republikës të Francës dhe më pas pranë Mbrojtësit të të Drejtave (Défenseur des Droits) në Paris, nga viti 2010 deri në vitin 2014, përpara se të ftohej të vinte përvojën e tij në shërbim të vendit amë.
Që prej 18 shkurtit 2025, Tomi Frashëri ushtron funksionin e sapokrijuar të Kancelarit të Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës së Shqipërisë. Në këtë cilësi, ai drejton Kancelarinë e Urdhrave dhe Medaljeve dhe kryeson Kolegjin që përbën organin e saj kolegjial vendimmarrës. Ky institucion është krijuar në bazë të ligjit nr. 93/2022 “Për dekoratat e Republikës së Shqipërisë”, i cili hyri në fuqi në mars 2024. Më parë, ai kishte qenë anëtar i grupit të ekspertëve përgjegjës për hartimin e këtij ligji. Reforma e sistemit të nderimeve publike synoi, në veçanti, forcimin e shtetit të së drejtës, përgjegjshmërinë politike dhe publike, transparencën, si edhe vlerësimin e meritës në sistemin kombëtar të dekoratave.
Tomi Frashëri u mandatua si Kancelar dhe u ngarkua me ngritjen dhe organizimin e brendshëm të institucionit, si edhe me garantimin e qeverisjes së rregullt dhe disiplinës së urdhrave kombëtarë, të medaljeve presidenciale (ushtarake dhe civile), të medaljes së Kryeministrit dhe të medaljeve që jepen nga ministrat.
Paralelisht me këtë detyrë, ai u emërua Kryetar dhe drejtues i Grupit Ndërministror të Punës përgjegjës për organizimin e Samitit të Komunitetit Politik Europian, të mbajtur në Tiranë në maj 2025, si dhe të Samitit të NATO-s, i cili pritet të zhvillohet në Tiranë në pranverën e vitit 2027. Nën drejtimin e tij, Grupi i Punës siguroi zhvillimin me sukses të Samitit të 6-të të KPE-së, më 16 maj 2025, me pjesëmarrjen e 52 krerëve të shteteve dhe qeverive.
Gjatë viteve 2019–2025, Tomi Frashëri ka ushtruar funksionin e Kryetarit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Shqipërisë. Gjatë mandatit të tij u implementuan në Shqipëri teknologjitë 5G dhe u transpozua në legjislacionin kombëtar Kodi Europian i Komunikimeve Elektronike, duke përmbyllur kështu përafrimin me acquis-në e Bashkimit Europian në këtë fushë—një nga kushtet për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Nga viti 2014 deri në vitin 2019, Tomi Frashëri ka shërbyer si Këshilltar Diplomatik dhe Shef i Protokollit i Kryeministrit të Shqipërisë. Në këtë funksion të dyfishtë, ai ka zhvilluar negociata ndërkombëtare, ka përgatitur materiale informuese dhe fjalime, si edhe ka organizuar vizita të shumta dypalëshe dhe veprimtari të rëndësishme shumëpalëshe.
Ai ka drejtuar gjithashtu Sekretariatin Teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeu (2017–2018), i cili synoi zbatimin e politikave publike me rëndësi në fushat kulturore dhe arsimore, ripërtëritjen e lidhjes qytetare ndërmjet rinisë dhe forcave të armatosura, si edhe gjallërimin e diasporës shqiptare jashtë vendit.
Tomi Frashëri është prej vitesh i përfshirë në një punë të dendur kërkimore në shkencat humane. Shkrimet e tij në gjuhën frënge janë botuar, ndër të tjera, në Espoir (Fondation Charles de Gaulle), Revue internationale de droit comparé, Revue des Études Constitutionnelles et Politiques du Sud-Est européen, Revue Akademos të Konferencës Kombëtare të Akademive, si edhe në Cahiers de Terre Sainte. Ai është autor i dy studimeve voluminoze në fushën e historisë të botuara në shqip më 2022 dhe 2025 nga Shtëpia botuese “Onufri”: “Frashëri – I Shquar, i Panjohur: Një studim heuristik për t’i shërbyer historisë”; “Princa të Lilit, Bij të Arbrit, Familjarë të Sulltanit – Përmbyjse botësh dhe shndërrime identitare në Arbërinë e të 14it dhe të 15it qindvjetësh”.
Çmime
• Laureat i Çmimit të Panairit të Librit të Tiranës (Vepra më e mirë studimore e vitit), dhënë nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, nëntor 2023;
• Laureat i Çmimit Émile Girardeau të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike (Instituti i Francës), 2002, në shkencat ekonomike, historike dhe sociologjike;
• Laureat i Çmimit Espoir të Fondation Charles de Gaulle, 1999.
Anëtarësi
Tomi Frashëri është anëtar i Konventës së Fondation Charles de Gaulle (që prej vitit 2004), i Këshillit Shkencor të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë (që prej vitit 2020), si edhe i Komisionit të Përhershëm të Shkencave Shoqërore, Ekonomike dhe Juridike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (që prej vitit 2024).
Që nga tetori 2019, ai është gjithashtu anëtar i Société des Amis du Musée de la Légion d’honneur et des Ordres de Chevalerie (SAMLHOC), nën Patronazhin e Lartë të Presidentit të Republikës Franceze.