USSH
Sipas Ligjit 93/2022, Urdhri Suprem i Shqiponjës (USSH) është dekorata më e lartë që jepet në Republikën e Shqipërisë, “për kontribute dhe merita të veçanta, të shquara e të qëndrueshme, civile ose ushtarake, në dobi të shtetit dhe kombit shqiptar, si edhe të shoqërisë dhe të vlerave demokratike”.
Urdhri përbëhet nga pesë shkallë në rend zbritës:
Urdhri është i pajisur me shkallën eprore të Gjerdanit, i cili i përket ekskluzivisht Presidentit të Republikës në cilësinë e Kryetarit të Urdhrave.
Roli që Urdhri Suprem i Shqiponjës luan në rregullimin aktual ligjor është i barabitshëm me atë që patën luajtur Urdhri i Shqiponjës së Zezë, krijuar nga Princ Vidi (1914), dhe Urdhri Besa [ose i Besës] i krijuar nga Ahmet Zogu (1926). Meqënëse Urdhri Besa ka marrë prej më shumë se 80 vjetësh trajtat e një dekorate dinastike, pjesë e trashëgimisë morale të ish-Familjes mbretëruese, urdhri i ri mbështetet në traditën e Urdhrit të Shqiponjës së Zezë. Kjo, edhe për të përtërirë lidhjen me Urdhrin e parë kalorsiak të historisë së Shtetit shqiptar.
Nga pikëpamja faleristike, duhet theksuar se në literaturën botërore të fushës, dizajni i këtij urdhri vijon të konsiderohet që prej një shekulli si mjaft kreativ, i veçantë dhe dallues i traditës faleristike shqiptare krahas traditave të tjera euro-perëndimore.
Në këtë aspekt, Urdhri i ri i Shqiponjës ruan të paprekur edhe moton e urdhrit të vjetër, “Besë e Bashkim”, që gjen përputhje në vlerat themelore të kombit dhe të shtetit shqiptar, sikundër edhe ngjyrat e shiritit, kuq e zi, por të vendosura në raporte faleristike më të ekuilibruara. Ndryshimet kryesore në dizajn, krahasimisht me urdhrin fillestar të Shqiponjës së Zezë, përfaqësohen nga zëvendësimi i Kurorës princërore me përkrenaren e Skënderbeut dhe nga shtimi i shqiponjave të vogla prej argjendi në skajet e Yllit të Madh.