Urdhri i Skënderbeut është urdhri i parë kombëtar për nga vjetërsia dhe i dyti në rend ceremonial. Ai jepet “për të vlerësuar kontribute dhe merita të dalluara e të qëndrueshme, civile ose ushtarake, në dobi të shtetit e kombit shqiptar, si edhe të shoqërisë e vlerave demokratike”.
Ky pozicionim nuk është rastësor. Ai ndjek logjikën e hierarkisë së urdhrave civile të periudhës 1925-1939, gjatë së cilës ai vinte menjëherë pas Urdhrit Besa [me përjashtim të Urdhrit të Trimërisë për ushtarakët].
Megjithëse nuk mund të pretendohet një vazhdimësi organike e drejtpërdrejtë mes USK dhe urdhrit eponim të regjimit monarkik – i cili është sot trashëgimi dinastike e ish-Familjes mbretëruese – dhe aq më pak me urdhrin e të njëjtit emër të regjimit monist – urdhër ekskluzivisht ushtarak – urdhri aktual trashëgon emrin e Heroit Kombëtar dhe strukturohet në pesë shkallë sipas traditës së viteve 1920-1930 duke qenë në koherencë dhe në harmoni me pararendësin e tij historik.
Një dëshmi tjetër është edhe shiriti i urdhrit të ri, i cili ndërsa ngjyrën kryesore ka të kuqerremtën, simbol sovraniteti dhe uniteti, përshkohet nga ngjyrat kuq e zi të USK së dikurshëm, në raporte faleristike dhe estetike të ekuilibruara. Në këto kushte u duk e natyrshme që edhe në dizajn të ruhej në një masë të caktuar fryma e urdhrit fillestar përmes konceptimit të shtresës bazë në relievin e ashtuquajtur të “diamantuar” dhe përdorimit të yllit pesëcepësh.
Në këtë mënyrë sigurohet edhe një kalim stafete mes shenjave të reja dhe atyre që janë përdorur për dekoratën Gjergj Kastrioti-Skënderbeut në vazhdimësi në tri dekadat e fundit, gjatë të cilave ka dominuar figura e yllit me pesë cepa, e trashëguar nga shenjat e shkallës së Oficerit të USK të viteve 1925-1939. Përveç risive të tjera në stil dhe në dizajn, në qendër të Yllit të USK trofeu i armëve zëvendësohet me një portret të Heroit me veshje civile për të vënë në pah aftësitë e tij si shtetar.
Urdhri i Skënderbeut përbëhet, në rend zbritës, nga këto shkallë: