Dekoratat shtetërore që jepen nga Presidenti i Republikës për merita të jashtëzakonshme në shërbim të atdheut, shoqërisë dhe humanizmit.
[MMU]
Në traditën e Shtetit shqiptar të përpara 1944-ës ka qenë në fuqi një kombinim dekoratash që përkon për nga fryma dhe standardet me qëllimin e MMU. Bëhet fjalë për shkallën “Trim” të Urdhrit ushtarak të Trimërisë dhe të Medaljes ushtarake të Trimërisë me 3 shkallë që plotësonte urdhrin e sipërpërmendur (1928). Përveç kësaj zanafille, MMU frymëzohet edhe nga medaljet simotra italiane “Al Valor militare”; franceze “Médaille militaire”; britanike “Victoria Cross; George Cross”.
Në shenjat e miratuara spikat modeli i ruajtuar i viteve të paraluftës, por ka gjithashtu edhe disa risi: zëvendësimi i portretit të mbretit Zog me një shqiponjë dykrenore në reliev. Medalja e Artë e Meritës Ushtarake prodhohet prej ari masiv ose metali shumë të çmuar. Kjo, nisur nga fakti që përftimi i kësaj shkalle parashikon akte heroike në detyrë, fakt që ndikon në rrallësinë e saj.
Medalja “u jepet subjekteve që janë pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për aktet e vetëmohimit e sakrificës, trimërisë dhe guximit gjatë kryerjes së detyrës ose për shkak të saj, në kohë paqeje ose lufte”.
Medalja e Meritës Ushtarake përbëhet, në rend zbritës, nga këto shkallë:
Medalja e Meritës Civile nuk ka ekuivalent të mirëfilltë në traditën e Shtetit shqiptar. Ajo nuk ka të përbashkëta me dekoratën për Merita të Veçanta Civile që është dhënë në vitet 2013-2025.
Për nga ngjashmëritë me Medaljen e Meritës Ushtarake, me përjashtim të profilit dhe të profesionit të kandidatëve, trajtohet për analogji me të për sa i përket formatit faleristik, organizimit dhe disiplinës.
Ajo “u jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj për aktet e trimërisë, guximit, sakrificës dhe vetëmohimit të kryer në territorin e Republikës së Shqipërisë”.
Medalja e Meritës Civile përbëhet, në rend zbritës, nga këto shkallë:
Emërtesa honorifike “Nënë Tereza” është shfaqur në vitin 1991, në formën e urdhrit, si dekorata e parë e krijuar nga Shteti pluralist shqiptar. Për këtë arsye ajo mbart një vlerë historike dhe simbolike me rëndësi. Si dekoratë, “Nënë Tereza” pësoi ndryshime ndër vite. Sot, Medalja “Nënë Tereza” zëvendëson dekoratën me të njëjtin emër dhe me një shkallë të vetme të parashikuar në legjislacionin e shfuqizuar të viteve 2013-2025. Si dekoratë, “Nënë Tereza” paraqitej në format e një kapseje dekorative pa shirit. Medalja “Nënë Tereza”, e ndarë në tri shkallë, paraqitet sot në formën e një rombi rrezatues me imazhin e shenjtores në një medaljon rrethor në qendër. Shiriti është i bardhë dhe i kaltër me bordura kuq e zi në kujtim të përkatësisë së saj në kongregatën e motrave rregulltare të Misionareve të Dashurisë dhe të prejardhjes së saj shqiptare.
Medalja “jepet për merita dhe kontribute të shquara në fushat e bamirësisë, përkujdesjes mjekësore dhe sociale, angazhimit vullnetar në ndihmë të kategorive në nevojë, si dhe në zhvillimin e shoqërisë e vlerave humaniste”.
Medalja “Nënë Tereza” përbëhet, në rend zbritës, nga këto shkallë:
[MPD]
Medalja “Pishtar i Demokracisë” është në vijimësinë e dekoratës me të njëjtin emër të legjislacionit të mëparshëm, por vjen estetikisht e reformuar dhe e përmirësuar. Ajo paraqitet në formë rrethore me simbolin e flakës së pashuar në qendër, e cila gjallon nga një burim i zbukuruar me gjethe dafine. Në sfond dallohet një kompozim rrezesh dhe telash me gjemba. Shiriti i Medaljes është i zi me alternim vijash të arta 3×3 dhe me një vijë të kuqe që e përshkon mes për mes vertikalisht duke simbolizuar dhimbjen, zinë dhe gjakun e derdhur nga persekutimi nën regjimin diktatorial 1945-1991.
Medalja “u jepet shtetasve shqiptarë dhe të huaj si shenjë përkujtimi për përndjekjen e drejtpërdrejtë në regjimin komunist të kryer mbi baza bindjeje politike apo fetare gjatë periudhës 29.11.1944–31.4.1991”.
E përbërë vetëm nga një shkallë, Medalja “Pishtar i Demokracisë” është dekorata e vetme që mund të jepet edhe pas vdekjes, në mënyrë të pakushtëzuar.