URDHRAT DHE MEDALJET

Urdhrat dhe Medaljet janë dy kategoritë që përbëjnë sistemin e vlerësimeve honorifike të njohur, në Shqipëri dhe më gjerë, me emrin gjenerik të dekoratave. Në Republikën e Shqipërisë dekoratat përfaqësojnë vlerësimin më të lartë sovran që Shteti i akordon personave fizikë dhe juridikë, shqiptarë dhe të huaj, sipas kritereve të përcaktuara nga Ligji nr. 93/2022 "Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë". Urdhri Suprem i Shqiponjës, Urdhri i Skënderbeut dhe Urdhri i Lisit Akademik cilësohen "urdhra kombëtarë" në kuptimin e komuniteteve të meritës që trupëzohen përmes tyre. Referuar legjislacionit në fuqi, urdhrat përbëhen nga të gjithë të dekoruarit në një nga shkallët e tyre. Si të tillë, ata kanë një Kryetar, gjegjësisht Kreun e Shtetit, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, i cili është njëkohësisht prijësi dhe autoriteti më i lartë i secilit urdhër. Urdhrat dhe Medaljet janë nën administrimin dhe përgjegjësinë e Kancelarisë, të kryesuar nga Kancelari, Komandar i Urdhrit Suprem të Shqiponjës.

Republika e Shqipërisë akordon, si vlerësime honorifike, edhe dy tituj nderi, të cilët nuk asimilohen me dekoratat dhe nuk janë në kompetencën e Kancelarisë së Urdhrave dhe Medaljeve. Titujt e nderit rregullohen përmes Ligji nr. 94/2022 "Për titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë".

* * * * *

Miratimi i Ligjit nr. 93/2022 "Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë" është produkti përfundimtar i një përpjekjeje jo të vogël, për suksesin e të cilës u deshën më shumë se tre vite punë të karakterizuara nga një vullnet politik i vendosur dhe nga ekspertiza e disa specialistëve të përkushtuar, mes të cilëve një rol të pazëvendësueshëm luajti i ndjeri Artan Lame.

Ligji i ri krijon një sistem koherent vlerësimesh honorifike për Shtetin shqiptar. Në sistemin e ri, Kancelaria është elementi rregullator kyç. Ajo është mbi të gjitha një institucion konservator, një arkiv i virtytit të njohur publikisht, i hapur për të bashkëpunuar ngushtësisht me ato institucione dhe me të gjithë ata persona vullnetmirë, që kujtesën e ruajnë përmes mbledhjes, shpëtimit dhe përkujdesjes ndaj arkivave dhe artefakteve, duke i dhënë asaj formën e prekshme e të kuptueshme nga të gjithë.

Më posaçërisht, Kancelaria është kujdestarja e shenjave të urdhrave dhe medaljeve, garantuesja e integritetit, dinjitetit dhe prestigjit të tyre. Është nën autoritetin e saj që u hartuan aktet dhe që u bënë të mundura dekoratat e para të dhëna nga shteti shqiptar gjatë kremtimit të 100-vjetorit të Urdhrit të Skënderbeut.

Detyrimi për hartimin e VKM për përgatitjen dhe hartimin e specifikimeve teknike të urdhrave dhe medaljeve, si edhe të certifikatave dhe letrave njoftuese rridhte nga zbatimi i nenit 19 të Ligjit nr. 93/2022 "Për Dekoratat në Republikën e Shqipërisë" (Fl. Zyrt. 13 mars 2024). Për hartimin e tyre, me urdhër të Kryeministrit nr. 56 datë 10 prill 2025, u ngrit grupi i punës mbi një bazë ndërinstitucionale, duke pasur në përbërje Kancelarin e Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës, një përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes, një përfaqësues nga Ministria e Brendshme dhe dy ekspertë të fushës, përkatësisht Z. Artan Lame (ekspert në hartimin e ligjit material) dhe Z. Ajten Toptani, specialist në Muzeun Historik Kombëtar.

Mbështetur në një material të bollshëm paraprak, të përftuar nga puna që ekspertët e hartimit të projektligjit "Për Dekoratat në Republikën e Shqipërisë" kishin vijuar paralelisht me hartimin e tij, GNP dakordësoi disa parime bazë të punës dhe ndau disa detyra.

  1. Respektimi i detyrimit ligjor për një sistem unitar dekoratash në përputhje me modelin euro-perëndimor;
  2. Respektimi i elementeve thelbësore të identitetit dhe të traditës në konceptimin faleristik, estetik dhe material të dekoratave duke u mbështetur në punën paraprake të nisur në sinkron me hartimin e teksteve ligjore dhe nënligjore të fushës;
  3. Ngarkimin e anëtarëve të GNP, Artan Lame dhe Ajten Toptani, me projektimin paraprak vizual të modeleve nën mbikëqyrjen e Kancelarit;

GNP përpunoi specifikimet teknike dhe përgatiti përshkrimet përkatëse për urdhrat dhe medaljet, si edhe për certifikatat dhe letrat njoftuese. Projekti përfundimtar u dorëzua më 29 maj, për t'u miratuar dhe për të hyrë në fuqi në gjysmën e dytë të muajit korrik 2025. Paraqitja pamore e dekoratave me të gjitha të dhënat teknike mund të konsultohet lirisht në lidhjet përkatëse të Vendimit nr. 396, datë 16 korrik 2025, të Këshillit të Ministrave, "Për miratimin e përshkrimeve dhe të specifikimeve teknike të urdhrave dhe medaljeve, si dhe të certifikatave e letrave njoftuese për dorëzimin e tyre", botuar në Fletoren Zyrtare, nr. 128, 2025, ff. 19031-19063.

Paraqitja dhe cilësitë teknike, estetike dhe faleristike të dekoratave të reja shqiptare janë vlerësuar së tepërmi në rrafsh ndërkombëtar. Më 17 dhjetor 2025, përmes një marrëveshjeje të nënshkruar mes Kancelarit të Urdhrave dhe Medaljeve dhe Kancelarit të Madh të Legjionit të Nderit, ato u përfshinë menjëherë si pjesë e muzeut më të madh të dekoratave në botë, Musée de la Légion d'honneur et des Ordres de Chevalerie, në Paris.

urdhrat kombëtarë

URDHRI SUPREM I SHQIPONJËS

[USSH]

URDHRI I SKËNDERBEUT

[USK]

URDHRI I LISIT AKADEMIK

[ULA]

medaljet

Medaljet në Republikën e Shqipërisë janë dekorata që jepen kryesisht si vlerësim për akte të dalluara në fusha nga më të ndryshmet të jetës shoqërore, si edhe për vite shërbimi në sektorë të caktuar. Medaljet ndahen në tri kategori: Medalje që jepen me dekret të Presidentit të Republikës; Medalje që jepen me urdhër të Kryeministrit; Medalje që jepen me urdhër të Ministrave përgjegjës për Mbrojtjen, Rendin dhe Sigurinë Publike.

Medalje që jepen me dekret të Presidentit të Republikës

Medalje që jepen me urdhër të Kryeministrit

Medalje që jepen me urdhër të Ministrave përgjegjës për Mbrojtjen, Rendin dhe Sigurinë Publike

CERTIFIKATAT

Disa të dhëna teknike mbi urdhrat, medaljet dhe dokumentimin e dhënies së tyre.