Fjala e kancelarit

“Kancelaria e Urdhrave dhe Medaljeve të Republikës së Shqipërisë është institucioni kombëtar të cilit ligji i ka besuar detyrën e kujdesit të ruajtjes së integritetit, dinjitetit dhe prestigjit të urdhrave dhe medaljeve – thënë ndryshe dekoratave – që jepen nga Shteti shqiptar. Në këtë kuadër, Kancelaria ka për mision të sigurojë mbrojtjen e simboleve të tyre, të mbajë gjallë kujtesën e domethënies që mbartin dhe të shërbimeve e kontributeve të të dekoruarve ndër vite, si edhe të promovojë vlerat historike, shoqërore dhe qytetëruese që nderohen përmes dhënies së tyre.

Vlerësimet honorifike që akordohen nga autoritetet më të larta të Republikës së Shqipërisë synojnë t’i përgjigjen nevojës për të shpërblyer në mënyrë dinjitoze dhe për të nxitur përmes dallimeve simbolike, por me impakt kombëtar dhe ndërkombëtar, meritat e veçanta dhe kontributet me peshë që vënë në lëvizje energjitë e gjalla të kombit në shërbim të së mirës publike dhe interesit të përgjithshëm. Kancelaria kujdeset në këtë aspekt që Shteti shqiptar të pajiset me instrumentet e duhura të identifikimit, verifikimit dhe shqyrtimit të kandidaturave të përshtatshme për dekorim bazuar në disa parime themelore që mund të përmblidhen në nocionet e barazisë së shanseve, meritokracisë dhe kontributit të spikatur, barazisë gjinore dhe ndershmërisë së figurës.

Instrumente tradicionale, por jo të mpiksura në kohë, të sovranitetit të Shtetit për të frymëzuar bashkëjetesën në mes të komunitetit kombëtar, brenda dhe jashtë kufijve politikë, si edhe për të nxitur shërbimet në interes të Shqipërisë në komunitetin e kombeve, urdhrat dhe medaljet përbëjnë shenja arketipale të simboleve më të shenjta të atdheut. Në paraqitjen, ceremonitë, ritet dhe rregullat e mbajtjes së tyre, kondensohen respekti dhe përnderimi që i takojnë shenjave themelore të Shtetit shqiptar si mishërimi në vazhdimësi i pavarësisë, sovranitetit dhe dinjitetit të kombit në tërësi dhe të çdo qytetari në veçanti.

Në veçanti, tre urdhrat kombëtarë, të cilët në shembullin e traditës europiane, janë krijuar nga ligji si bashkësi të mirëfillta të meritës, përfaqësojnë vullnetin e Shtetit për t’i kthyer në instrumente të kompaktësimit kombëtar përmes nderimit dhe stimulit, si një mënyrë për t’i bërë ballë prirjes së përhershme të çdo kohe dhe të çdo shoqërie drejt atomizimit dhe përçarjes.

Urdhri Suprem i Shqiponjës, Urdhri i Skënderbeut dhe Urdhri i Lisit Akademik, janë tre institucione që synojnë garantimin e mundësisë së çdo qytetari për t’u nderuar, vetëm në bazë të meritave, shërbimeve dhe kontributeve të qendrueshme, si edhe për të propozuar këdo që konsiderohet i denjë për nderim. Për këtë, ligji ka krijuar mundësinë e nismës qytetare për propozim të drejtpërdrejtë.

Në bashkësitë e meritës, në të tre urdhrat kombëtarë, sikundër edhe për dekorimet me medalje për akte specifike bravure civile ose ushtarake, ka vend për të gjithë: kushdo që identifikon kontribute i bën vendit një shërbim të posaçëm.”

Tomi Frashëri