Oficer i Madh i Urdhrit të Skënderbeut

Dekoruar me Oficerit të Madh të Urdhrit të Skënderbeut, në shtator të 2026-s, me dekret nr. 444, datë 5.012.2025, në vlerësim të kontributeve të çmuara në kujdesjen, mbarëvajtjen dhe përmirësimin e shëndetit publik ndër dekada përmes një pune pa zhurmë, por me mjaft merita, të karakterizuar nga përulësia, integriteti profesional dhe personal, përkushtimi për komunitetin dhe interesin e gjerë ndaj dijes.

Intervistë me Prof. Dr. Qeramedin Kodra

1. Ky dekorim vjen si njohje për kontributin tuaj shumëvjeçar në mbarëvajtjen dhe përmirësimin e shëndetit publik. Cili do të ishte mesazhi juaj për publikun dhe për komunitetin e shëndetit publik me rastin e këtij dekorimi?

Shëndeti publik, si koncept dhe si veprim, nënkupton ruajtjen, mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit të njeriut në mjedisin rrethues, e cila karakterizohet nga shumëllojshmëria dhe dinamizmi. Shëndeti publik është efektiv, d.m.th. e përmbush funksionin e tij, atëherë kur vendos diagnozën e riskut në themel të ndërhyrjeve parandaluese. Që parandalimi i sëmundjeve të mos mbetet thjesht një slogan, kërkohet kontributi i të gjithë atyre që janë autorë apo aktorë në fushën e shëndetit publik. Që parandalimi të funksionojë, është i domosdoshëm kontributi i çdo strukture, profesioni dhe individi.

2. Si e përjetuat momentin e marrjes së këtij dekorimi? Çfarë ndjenjash ju përshkuan gjatë ceremonisë?

Do ta përmblidhja me këto pak fjalë: Vlerësim për profilaksinë dhe për punën dhjetëra vjeçare të një grupi specialistësh, sidomos të atyre të Institutit Kërkimor të Higjienës dhe Epidemiologjisë, sot, Instituti i Shëndetit Publik dhe vlerësim të bashkëpunëtorëve të rrjetit sanitar, të specialistëve të tjerë (gjeologji, miniera, etj.). Ndjeva se ky nderim nuk i përket vetëm së kaluarës sime, por edhe së ardhmes së kësaj fushe. Nëse përvoja ime e gjatë mund t'u shërbejë të rinjve si frymëzim, atëherë ky dekorim ka marrë kuptimin e tij të plotë.

3. Cilën e konsideroni arritjen apo momentin më domethënës të rrugëtimit tuaj profesional, dhe kujt dëshironi t'ia dedikoni këtë njohje?

Konceptimi dhe bërja operative e një strukture në Institutin e Shëndetit Publik, e cila:
1. Nisi dhe zhvilloi studimet e cilësisë së ajrit, të cilësisë së ujërave dhe të ushqimeve (vlerësime sasiore të ekspozimit, vlerësimin e riskut, të gjendjeve paraklinike, etj.).
2. Realizimin e programeve të formimit profesional të punonjësve të rrjetit sanitar kombëtar, në nivel pasuniversitar. Në mënyrë më specifike, përpjekjet për të ngulitur koncepte e praktika në përputhje me ato të vendeve të zhvilluara (të monitorimit, të ergonomisë, të riskut potencial, etj.), duke synuar atë që njihet si gjykim profesional (professional judgement).
3. Veçoj si domethënëse dhe dëshmuese të rezultatit që jep studimi në fushën e parandalimit, kontributin në shmangien e "epidemisë" së silikozës (sëmundje e shkaktuar nga pluhurat, sidomos në punimet nëntokësore, e cila nuk ka mjekim specifik, është progresive dhe e pakthyeshme), duke mbrojtur kështu shëndetin dhe duke shpëtuar jetën e qindra e mijëra punëtorëve.
4. Nëse duhet të përmend një emër, ai është Ciril Pistoli (Ministër i Shëndetësisë në vitet '60 dhe në fillim të viteve '70), i cili ngulmoi që profilaksia të funksiononte. Një model për t'u ndjekur. Nëse duhet përmendur një grup, ai është ekipi i Departamentit të Higjienës, e me gjerë punonjësit e rrejtit saniatar.

4. Si e shihni rëndësinë e kërkimit shkencor për të ardhmen e shëndetit publik në vend, dhe çfarë mund t’u thoni atyre që po nisin sot rrugëtimin në këtë fushë?

Kërkimi shkencor përbën themelin mbi të cilin ndërtohet shëndeti publik Ai në fushën e shëndetit publik ka përpara probleme të shumta, trajtimi i të cilave do të ishte me interes të pakufishëm për shëndetin e popullatës, por edhe për aspektet ekonomike e sociale të periudhës. Kërkimi shkencor është ftuar nga vetë realiteti dhe/ose nga sfidat e sotme të diktuara nga ndryshimet klimatike, urbanizimi, globalizmi dhe konsumizmi, të shoqëruara me problematikën e lidhur me falsifikimet dhe abuzimet e mundshme. Ai na jep mundësinë të kuptojmë më thellë realitetin shëndetësor të vendit, të hartojmë ndërhyrje më efektive dhe të jemi të përgatitur për sfidat që sjell koha. Të rinjve që po nisin rrugëtimin në këtë fushë u drejtohem me një këshillë: Të jeni të qartë për faktin se problemet me të njëjtin emërtim në nivel botëror, kanë një ngjyrë kombëtare (madje edhe lokale/vendore), e cila pret të identifikohet dhe të vlerësohet, çka ofron mbështetjen e duhur për ndërhyrje efektive: secili në profilin e tij, në profesionin e tij, mund dhe duhet të vrojtojë/studiojë problematikën dhe të gjejë shtigjet e veprimit parandalues. Bashkëpunoni, respektoni etikën profesionale dhe ruani integritetin mbi çdo gjë. Shpërblimi më i madh në këtë profesion nuk është mirënjohja publike, por ndërgjegjja se keni kontribuar për shëndetin dhe mirëqenien e të tjerëve.