Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut

Dekoruar me Kalorësin e Urdhrit të Skënderbeut, në dhjetor të 2025-s, me dekret nr. 455, datë 05.12.2025, në vlerësim të shërbimit të spikatur, kontributit në zhvillimin dhe drejtimin me vizion dhe përkushtim të njësive elitare të Forcave të Armatosura, për përfaqësimin me dinjitet të Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura në misione dhe operacione të NATO-s, në nderim të një karriere të ndërtuar me integritet, profesionalizëm dhe përkushtim ndaj atdheut.

Intervistë me Kolonel Ajet Jata

1. Ky dekorim vjen si njohje për kontributin tuaj shumëvjeçar në zhvillimin dhe drejtimin e njësive elitare të Forcave të Armatosura. Cili do të ishte mesazhi juaj për publikun dhe për komunitetin ushtarak me rastin e këtij dekorimi?

Ky dekorim nuk është vetëm një vlerësim personal, por një nderim për çdo ushtarak i cili ka shërbyer me besnikëri, përkushtim, disiplinë dhe sakrificë në radhët e Forcave të Armatosura. E ndaj këtë mirënjohje me të gjitha ata që kanë qenë pjesë e rrugëtimit tim, sepse në Forcat e Armatosura, asnjë sukses nuk është individual, është një rezultat i një ekipi të bashkuar dhe një mision të përbashkët.

2. Si e kujtoni momentin e marrjes së këtij dekorimi dhe çfarë ndjenjash ju përshkuan gjatë ceremonisë?

E kujtoj si një nga ato momente të rralla që të bëjnë të ndalosh dhe të reflektosh mbi gjithë rrugëtimin tënd. Ndjeva krenari, mirënjohje, dhe mbi të gjitha përgjegjësi, sepse një dekorim nuk është fundi i një misioni, por një kujtesë se çdo sakrificë në shërbim të atdheut ka vlerë. E mora këtë nderim si një motivim për të vazhduar të jap më të mirën dhe për t’u lënë brezave pas një shembull që ja vlen të ndiqet.

3. Në fjalimin tuaj theksuat se dekorata i përket edhe Regjimentit të Operacioneve Speciale që drejtoni. Cilën e konsideroni arritjen ose momentin më domethënës të rrugëtimit tuaj ushtarak që nga viti 2001, dhe kujt dëshironi t'ia dedikoni këtë njohje?

Mendoj se arritja me domethënëse nuk është një moment i vetëm, por rrugëtimi nga viti 2001 deri më sot dhe privilegji për të qenë pjesë e ndërtimit, zhvillimit dhe drejtimit të kapaciteteve të operacioneve speciale. Momenti më i rëndësishëm është kur kupton se njerëzit me të cilët keni shërbyer janë rritur profesionalisht dhe se njësia është bërë më e aftë, më e disiplinuar dhe më e gatshme për çdo mision. Këtë njohje ia dedikoj çdo ushtaraku që ka dhënë më të mirën në heshtje, familjeve që kanë mbështetur sakrificat tona dhe mbi të gjitha brezave të rinj të cilët mbajnë uniformën veshur. Dekoratën mund ta marrë një individ, por meritat janë gjithmonë të një ekipi, misionit dhe flamurit të cilit i shërbejmë.

4. Karriera juaj ka përfshirë përfaqësimin e Shqipërisë në misione e operacione të NATO-s, si dhe trajnimin e brezave të rinj oficerësh. Çfarë vlere sjell ky bashkëpunim ndërkombëtar dhe formim i vazhdueshëm për të ardhmen e Forcave të Armatosura, dhe çfarë do t'u thoshit atyre që po nisin sot rrugëtimin ushtarak?

Bashkëpunimi me NATO-n dhe partnerët tanë ndërkombëtarë na kanë dhënë mundësinë të mësojmë nga standardet më të larta, të ndajmë eksperiencën dhe të shohim profesionalizmin ushtarak si një rrugëtim të përhershëm zhvillimi dhe përsosmërie. Kjo përvojë është një investim jo vetëm për Forcat e Armatosura të sotme, por mbi të gjitha për brezat që do ti drejtojnë ato nesër. Atyre që nisin sot rrugëtimin ushtarak do tu thosha mos e shikoni uniformën thjeshtë si një profesion, por si një përgjegjësi dhe si një mision. Mësoni çdo ditë, qëndroni të fortë në vështirësi dhe mos harroni kurrë se autoriteti fitohet me shembull, ndërsa respekti fitohet me karakter.